Mustafa paralajmëron takim me Kurtin, shpreh përkushtim për marrëveshje

Mustafa paralajmëron takim me Kurtin, shpreh përkushtim për marrëveshje

Lideri i LDK-së Isa Mustafa ka thënë për media se ai beson që do të ketë një takim me kryetarin e LVV-së Albin Kurtin, por që ende nuk është caktuar koha e mbajtjes.

(E plotësuar) Mustafa tha para se të mbahet mbledhja e kryesisë së LDK-së, se janë të përkushtuar për të arritur marrëveshjen për bashkëqeverisje, pasi nuk ka kuptim të vazhdohet më kështu.

“Ju njoftojmë para se të merremi vesh me Vetëvendosjen. Ka mbetur për t’u caktuar. Më merr mendja që po. Gjithmonë po bëjmë përpjekje. Unë jam i përkushtuar për atë, sepse s’ka kuptim më që endja kjo të vazhdohet. Kështu që do të bëjmë përpjekje ta kryejmë”, theksoi Mustafa.

Ndryshe, në mesnatë ka skaduar ultimatumi i kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa për Lëvizjen Vetëvendosje lidhur me arritjen e koalicionit qeverisës, pas më shumë se tre muaj negociatash të pasuksesshme.

Të dyja partitë kanë pasur bisedime, pas zgjedhjeve të 6 tetorit, por nuk kanë arritur deri më tash marrëveshje, pavarësisht deklarimeve të të dyja palëve për përafrim qëndrimesh.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lutfi Haziri, dje tha se një ndarje e drejtë dhe e balancuar e pushtetit mbi parimet e mirëbesimit do të bënte që programi qeverisës, me VV-në udhëheqëse të Qeverisë e LDK-në udhëheqëse të Parlamentit, do t’i jepnin fuqi koalicionit.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë pasur përplasje rreth ndarjes së posteve, përfshirë atë të kryeparlamentarit dhe presidentit.

Në ofertën e fundit publike, LDK i kërkoi Vetëvendosjes të heqë dorë nga kryeparlamentari në vitin e parë të bashkëqeverisjes. Pas një viti, kur LDK-ja të marrë postin e presidentit, kjo parti ka thënë se do ta kthente pozitën e kryeparlamentarit te VV. Por, kjo e ka fundit e ka quajtur të papranueshme kërkesën e LDK-së, duke thënë se nuk mund ta heqë nga kjo pozitë.

Në seancën konstituive të 26 dhjetorit, Glauk Konjufca është zgjedhur për kryetar të legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës.

Presidenti Hashim Thaçi ka mandatuar Albin Kurtin, kreun e Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e Qeverisë së re të vendit, ndonëse ky i fundit nuk i erdhi në zyrë ashtu sikurse ai e kishte ftuar.

4 shkurti është afati i fundit për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

 

Mustafa konfirmon takimin me Kurtin, beson se do të ndodhë marrëveshja

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka paralajmëruar se sot do të takohet me të parin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin.

Dy liderët do të takohen pas një kohe të gjatë të komunikimit në distancë me njëri-tjetrin.

Mustafa ka konfirmuar takimin me Kurtin, duke u shprehur i bindur se marrëveshja arrihet sot.

Ai u shpreh i bindur se marrëveshja do të arrihet sot, raporton E.O.

“Jemi duke bërë përpjekje për një marrëveshje përfundimtare, takimi do të ndodhë sot, por orën ende nuk e kemi caktuar”.

“Po besojmë që sot do të ndodhë marrëveshja”, tha Mustafa.

Përderisa të dielën ka skaduar afati që i pari i LDK-së, Isa Mustafa i kishte dhënë Albin Kurtit, për pranimin e ofertës së fundit të LDK-së.

Kurse Kurti ka edhe 10 ditë afat prej kur ka marrë mandatin nga kreu i shtetit Hashim Thaçi.


MË SHUME NGA Aktuale