Haradinaj: Nuk duhet të flitet për qeveri teknike, të presim mandatarin

Haradinaj: Nuk duhet të flitet për qeveri teknike, të presim mandatarin

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka deklaruar sot se marrëveshja për hekurudhat me Serbinë nuk i bën asnjë dëm Kosovës.

Haradinaj pas homazheve tek Obelisku i Hebrenjve me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, foli edhe për rrethanat aktuale politike, ku tha se për momentin nuk duhet të flitet për një qeveri teknike, pasi ka një mandatar për kryeministër dhe duhet pritur si do të veprojë ai.

“Shikoni, ne kemi hekurudha të dobëta që lidhen me Serbinë, pra janë në gjendje të mjerueshme. Jemi në proces të rinovimit në tërësi të rikthimit të hekurudhave është një projekt i madh me BE-në. Një marrëveshje me Serbinë nuk i bën asnjë dëme Kosovës për qarkullim hekurudhor. E kam përsëritur një ditë më herët, janë qindra-mijëra njerëz tonë që janë të detyruar të kalojnë nëpër Serbi, disa prej tyre tani e kanë alternativë edhe aeroplanin. Ndonjëherë kur kalojnë kanë edhe vështirësi me makina. Mund të jetë edhe treni si opsion. Nuk është ofertë e mirëfilltë tash për tash. Edhe nëse ndodhë marrëveshja, praktikisht është një infrastrukturë shumë e dobët dhe jo adekuate për përdorim”, tha ai.

I pyetur se marrëveshja për hapjen e linjës ajrore dhe kjo e hekurudhat kanë rifilluar dialogun me Serbinë, Haradinaj tha se nuk mund të definojë si dialog, por këto marrëveshje janë të mirëpritura për qarkullim të njerëzve, por pa largim të taksës.

“S’kam të drejtë për ta definuar si një dialog, por fakti që po ndodhin disa marrëveshje që kanë një karakter qarkullimin e njerëzve. Pasi për shkak të taksës i mallrave është më i vështirësuar. E mirëpresim, e kemi kërkuar edhe në të kaluarën, një dialog pa kushte, pa u larguar taksa”,  tha ai.  

Ndërkaq për mundësitë e një qeverie teknike, Haradinaj tha se duhet pritur si do të veprojë mandatari për kryeministër.

Haradinaj i quajti spekulime të gjitha opsionet pas kalimit të afatit kushtetues për formimin e qeverisë, pasi sipas tij duhet t’i lihet koha e duhur mandatarit se si do të veprojë.

“Mendoj që janë të parakohshme këto spekulime. Ne kemi mandatar, fituese të zgjedhjeve.  Duhet të presim si duhet të veprojnë ata”, deklaroi Haradinaj.

Haradinaj pas homazheve tek Obelisku i Hebrenjve me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit kërkoi edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli.

 


MË SHUME NGA Aktuale