Shoqëritë e pambrojtura – Kosova

Shoqëritë e pambrojtura – Kosova

Ballsor Hoxha

Ne jetojmë në totalitarizëm. Kjo është shprehje e shoqërive të vogla dhe të pambrojtura. Të abuzuar dhe të dhunuar. Individi është rrezik i shoqërisë, identike me filmin kosovar – Proka. Si shembull i këtij realiteti është arkitekti kosovar me famë botërore Përarim Rama, që është kurthuar brenda ankthit totalitar të shoqërisë sonë, me rrezik zhvleftësimin e përpjekjes së tij më të thellë patriotike.

Shoqëritë e vogla dhe të pambrojtura janë pre e ndryshimeve që kanë përfshirë jo vetëm vetë ato por tërë globin.

Çka ka të bëj Kosova me lokalitet dhe periferitë e Kinës? Çka ka të bëj Kosova me Kinën? (Si shembull).

Globalizimi është e keqja e domosdoshme edhe në periferitë e Kinës e edhe në Kosovë. Është përhapur globalisht edhe një virus i ri vdekjeprurës. Edhe një herë ky vjen nga Kina, si virusi SARS. Edhe një herë shoqëritë lokale në Kinë , si brenda një bote të tërë me një globalizim të tërë vuajnë shtjellimin, përshpejtimin dhe ndërthurjen e globales me lokalen. Sipas New York Times lindja e një virusi të ri në Kinë, edhe një herë, është çështje e fragmenteve lokale që përballen me ndryshimet dhe me kalimin e mentalitetit/mentaliteteve. Përshkrimi i New York Times të tregjeve të mishit në këto periferi të Kinës është identik me ato të Kosovës.

Çka ka kjo të bëj me Kosovën? Çka ka kjo të bëj me shoqëritë e pambrojtura?

Një përshtypje më e shpejtë në tregjet e mishit në Kosovë, dhe e tëra bëhet e qartë. Lopë, viça, kafshë të prera në të gjitha anët. Gjaku që rrjedhë. Mishi që qëndron i pambrojtur. Konsumimi i tij pa asnjë mbrojtje.

Më tutje, burimet e importit të mishit, krejtësisht të egra, që nga Brazili e vende krejtësisht të dyshimta për standardet e sigurisë së ushqimit. Kosovari që konsumon këta kaçikë, e këto pula, krejtësisht i humbur brenda vetë vendit të tij si individ me të drejta/pa të drejta për shëndet.

Më tutje, duke kaluar në një fushë krejtësisht tjetër, në fushën e arkitekturës, është shfaqur dallimi i masës me individualen.Dhe kjo gjë po ndodh në përfshirjen tonë totale me politkën. Kompleksi rreth liqenit të Badovcit ka kurthuar brenda ankthit, një prej personave më të merituar për ndërtimin e imazhit të Kosovës ndërkombëtarisht. Disa qytetarë që në reagimin  e tyre shpërfaqin pavetëdijësinë e tyre - të abuzuar në rrëmujën e zhvillimeve shoqërore, politike, kulturore, të kognicionit (sjelljes) dhe të mënyrës së jetës (lifestyle). Reagimi i disa qytetarëve rreth projektit të tij në liqenin e Badovcit shpërfaqet si reagim i pavetëdijshëm i viktimës së dhunuar dhe abuzuar nën rrymat e ndryshimeve dhe dallimeve. Si viktima të një shoqërie të pambrojtur.

Duke vazhduar më tutje në aktualitetin tonë – e dimë se nuk ka kosovar që nuk jeton këto ditë me mosekzistencën e shtetit të Kosovës. Jemi të përfshirë totalisht me mungesën e shtetit. Kemi mbetur të pambrojtur nën dinamikat politike. Shteti momentalisht është i suspenduar.

Çka ka kjo të bëj me tregjet e mishit në Kosovë? Çka ka kjo të bëj me reagimin e viktimës në kompleksin e Badovcit?

Premtimin që e dha Albin Kurti dhe LVV, për – pastrimin – e Kosovës nga korrupsioni, po ngjanë këto ditë i parealizueshëm. Apo për të thënë më saktë i pandashëm me vetë korrupsionin.Po ngjanë shumë afër me ikjen nga realiteti.

Në të vërtetë, duke filluar prej tregjeve të mishit në Kosovë, e deri tek përpjekja për – pastërti e LVV, kjo është një shoqëri në tërësinë e saj. Shoqëri që u kërrus nën tragjedinë e saj. Shoqëri që i bëri vend edhe të keqes e edhe të dyshimtës.

Pikërisht në këtë ndërtohet edhe idealizmi, edhe premtimi i LVV. Dhe në të vërtetë pamundësia e – pastërtisë së shoqërisë sipas LVV. Pamundësia e prerjes së horizontit prej prejardhjes së korrupsionit dhe të të keqes, ndërthurja e tij e paevitueshme në totalitetin e jetës kosovare.

Ka një ngjashmëri në protestën e një grupi qytetarësh lidhur me dallimin që po shpërfaqet në Kompleksin e Liqenit të Badovcit, me frymën për pastërti të LVV. Ngjashmëria ndërmjet këtyre dy fenomeneve, njëri në miniaturë e tjetri në përhapje më të gjerë, është në përvetësimin e të drejtës për protestë. E kam quajtur frymë në kuptimin direkt të kësaj fjale vullnetin e qytetarëve shprehur me LVV. Frymë e huazuar dhe në trend. Por në të vërtetë krahasuar globalisht, lëvizjen e shoqërive të pambrojtura me LVV, kjo del krejtësisht naive në lokalizimin e kësaj fryme. Sepse është frymë globale, është pakënaqësi globale.Është reagim global ndaj globalizimit dhe gjendjes së pambrojtur të shoqërive.

Ajo që duhet kuptuar në gjithë totalitarizimin tonë është se çdo kosovar ka ëndrrën e tij. Të gjithë bashkë kemi një ëndërr kolektive dhe totale. Mirëqenien. Dhe kjo shprehet nga vetë vullneti i shoqërisë sonë që edhe LDK (si shembull këtu) në gjithë ndërthurjen e saj me - të dyshimtën - të jetë pjesë e frymës së ndryshimit. Që fryma e LVV është shprehje nëan ëndrrën kolektive të kosovarëve.

Që nuk mund të ikësh nga realja dhe pandjeshmëria e saj (Lacan). Që nuk mund të jetosh – i pastër deri në narcisizëm, brenda një shoqërie që ti e ndanë si të korruptuar. Kjo është shenjë e rritjes graduale të ekstremizmit dallues, përçarës dhe bllokues. Është domosdo të pranojmë se korrupsioni është pjesë e tragjedisë. Tragjedisë së një shoqërie të pambrojtur si Kosova. Nuk mund të ndërtosh as të përvetësosh mbi këtë tragjedi. Janë në rrezik arritjet më të mëdha kosovare, si puna e Përparim Ramës, në këtë ankth.