Mali i zi në goditjen e re serbe, Kosova do të jetë Shënjestra e radhës

Mali i zi në goditjen e re serbe, Kosova do të jetë Shënjestra e radhës

Maqedonia është lënë në këtë fillimviti jashtë provokacioneve ngase Serbia është në pritje të rikthimit të VMRO-s në pushtet, për t’iu rikthyer orkestrimit të politikave antishqiptare në koordinim me VMRO-n.

Milazim Krasniqi

Viti 2020 në Ballkan ka filluar ashtu si fillon çdo vit në këtë rajon, kur ritmin e ngjarjeve e dikton fashizmi serbomadh. Pra edhe viti 2020 ka filluar me trazira të dhunshme të serbëve në Mal të Zi, me kërcënime për shpërbërjen e shtetit në BeH dhe me ndërskamca permanente në Kosovë. Si duket Kroacia ka dalë tashmë nga skenari i fashizmit serb, për shkak të fuqizimit të saj si anëtare e NATO-s dhe e BE-së dhe e armatimit me armatime të sofistikuara këto vitet e fundit. Ndërsa, Maqedonia është lënë në këtë fillimviti jashtë provokacioneve, ngase Serbia është në pritje të rikthimit të VMRO-s në pushtet, për t’iu rikthyer orkestrimit të politikave antishqiptare në koordinim me VMRO-n.

Megjithatë, radiusi i destabilizimeve tash për tash është më i ngushtë edhe për një arsye: Serbia ka shpall zgjedhjet lokale e parlamentare për 26 prill 2020, prandaj në pritje të një mandati të ri, Vuçiqi duhet të tregohet më i përmbajtur.

Koncentrimi i goditjes serbe mbi Malin e Zi, i ka disa përparësi për Vuçiqin. Me këto trazira të orkestruara e të kontrolluara, ai arrin të mobilizojë rreth vetes edhe një pjesë të elektoratit ekstrem në Serbi. Pra, Vuçiqi llogaritë që trazirat në Malin e Zi e ndihmojnë që të fitojë zgjedhjet e 26 prillit 2020. Mund të jetë rastësi që trazirat e reja të inskenuara nga Beogradi në Mal të Zi, përkatësisht “ndodhja e popullit”, sërish po ndodhin në janar, si në vitin 1989, me ç’rast nën presionin e protestave, u rrëzua e tërë udhëheqja e atëhershme politike e shtetërore Malit të Zi dhe republika malazeze kaloi nën kontrollin e plotë të Millosheviqit. (Kontrolli serb mbi Malin e Zi pati zgjatur disa vjet, deri sa njëri nga eksponentët e asaj politike, Gjukanoviqi, u rebelua dhe adoptoi projektin e pavarësimit të Malit të Zi. Tash Gjukanoviqi personalisht është nën goditjen e “ndodhjes së popullit” dhe duket se kjo do të jete beteja finale e tij me fashizmin serbomadh.)

Por, beteja e fundit e Gjukanoviqit me fashizmin serb, jashtë kontekstit elektoral dhe atij historik, nuk është një betejë dosido. Në këtë betejë janë të implikuar edhe akterë të tjerë, të fshehtë e të hapur. Sikundër dihet, Rusia pati organizuar një tentimatentati ndaj Gjukanoviqit dhe një tentim grushteti në Malin e Zi, për ta penguar anëtarësimin e këtij shteti në NATO. Dështimi i atentatit dhe i grushtetit mundësoi anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Por një deklaratë dhe një gjest i presidentit amerikan, Donald Trampit, ka lënë një shije të hidhur dhe një ndjenjë dyshimi se a e ka fituar Mali i Zi statusin e shtetit-anëtarë, që ka mbrojtjen kolektive të NATO-s. Trampi pati ironizar pikërisht me Malin e Zi, sikundër që në një takim e pati poshtëruar në mënyrë shumë të pahijshme kryeministrin e Malit të Zi. Mbase për shkak të atyre sinjaleve konfuze, Serbia dhe Rusia janë trimëruar dhe e kanë filluar goditjen e re ndaj Malit të Zi, duke llogaritur që nuk e ka mbrojtjen e plotë të NATO-s? Kjo mbetet të shihet nga deklaratat e udhëheqjes së NATO-s dhe të SHBA-ve, nëse gjerat përkeqësohen më shumë në ditët dhe javët e muajt që vijnë. NATO e SHBA nuk do të duhej të linin që gjërat të përkeqësoheshin, sepse në atë rast virulenca e agresioneve serbe do të shtohej, në drejtim të Bosnjës dhe në drejtim të Kosovës, dy shtete që mbijeotjnë vetëm falë aranzhmaneve (Dejtonit dhe Rambujesë) ku garant është SHBA. Sidoqoftë, e pritshme është që goditja e radhës e Serbisë do të jetë ndaj Kosovës, në fillim të vitit 2021, kur ta konsolidojë Vuçiqi plotësisht regjimin e vet. Me të njëjtat pretekste dhe me skenar të ngjashëm, si ky që po shihet në Malin e Zi, por me vendosmëri shumë më të madhe, në mënyrë q ëcipëtimin e Kosovës ta bëjë fakt të kryer. Me këtë rast duhet të kihet para sysh një gjë esenciale: skenar i tashëm i destabiilizizmit të Malt të Zi i ka tre elementet themelore që përdorte Millosheviqi për rrëzimin e udhëheqjes në Mal të Zi, në Kosovë e në Vojvodinë në vitet 1989-1990. E para, përdorimi i konflikteve ndëretnike, të cilat fillimisht i nxitë vetë Serbia, mandej shfaqet si mbrojtës i serbëve. Këtë skemë është duke e përdorë saktësisht në Mal të Zi edhe tash. Qeveria e Beogradit i ka nxitë Kishën Ortodokse Serbe dhe partitë opozitare që deklarohen si serbe, që të kundërshtojnë ligjin për liritë fetare. Fillimisht u tentua pengimi me dhunë i miratimit të ligjit në Kuvendin e Malit të Zi, pastaj u shfaqën priftërinjtë serbë në krye me mikun e Koshtunicës, Amfillohijen dhe i zgjeruan protestat nëpër shumicën e qyteteve të Malit të Zi. Protestat e tilla ditore, nganjëherë edhe të dhunshme, po shkaktojnë ftohjen e marrëdhënieve ndërnacionale në Malin e Zi, ndërsa ftohja pastaj përdoret nga propaganda dhe nga regjimi serb si preteket “për t’i ardhë në ndihmë popullit të rrezikuar serb.” Elementi i dytë që po përdorë Serbia në Malin e Zi edhe në vitin 2020 e që e ka përdorë edhe në vitin 1989 është pretendimi i nënkuptuar territorial ndaj veriut të Malit të Zi. Dhe e treta, propaganda serbe tërë kohën propagandon kundër Gjukanoviqit dhe qeverisë së tij si qeveri e korruptuar, me synim që ta denigrojë e të dobësojë në sytë e qytetarëve malazez po edhe të faktorëve ndërkombëtar.

Trazirat dhe ndërhyrjet në Malin e Zi janë duke vazhduar, ashtu që epilogu i tyre nuk dihet. Ndoshta ato mund të mbahen deri sa të kryhen zgjedhjet në Serbi. Por ajo që dihet është se Serbia ka mbetur e vendosur në mbajtjen pezull të projektit të saj të krijimit të Serbisë së Madhe, duke atakuar Malin e Zi, Kosoven dhe Bosnjen. E pritshme është që Kosova do të jetë shënjestra e radhës. Për këtë arsye, duhet të llogaritet që trazirat e tashme në Malin e Zi taktikisht kanë të bëjëj edhe me Kosovën. Pas zgjedhjes së një qeverie të re, Vuçiqi do të gjejë momentumin që të godasë fort mbi Kosovën, me trazira të sërbëve, me pretendime territorial përkatësiht me projektin e copëtimit të Kosovës dhe me propagadë kundër institucioneve të Kosovës. Për këtë arsye Kosova duhet të solidarizohet sot me Malin e Zi. Dhe përtej kësaj, duhet të përgatitet që të kundërvihet ndaj skenarit destabilizues e gllabërues të radhës, që e pret më së largu në fillim të vitit 2021, ndoshta edhe më herët. 4 shkurt 2020.