Ish-sekretari i MSh-së, Ilir Tolaj dënohet me tre vjet burg efektiv

Ish-sekretari i MSh-së, Ilir Tolaj dënohet me tre vjet burg efektiv

Gjykata e Apelit, e ka aprovuar pjesërisht ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës se Kosovës, në rastin e ish-sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj, duke e dënuar këtë të fundit me tre vjet burg efektiv për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Po ashtu, për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Apeli e ka dënuar me dy vjet e katër muaj burgim edhe të akuzuarin Bekim Fusha, ndërsa me dy vjet e tetë muaj burgim e ka dënuar të akuzuarin Zenel Kuqi.

Gjithashtu, shkalla e dytë i ka dënuar me nga gjashtë muaj burgim me kusht, në një periudhë verifikimi prej një vjetësh, edhe të akuzuarit tjerë për keqpërdorim të pozitës zyrtare në këtë rast, Valentina Haxhijaj, Florije Tahiri dhe Remzije Thaqin.

Për dënimin e tyre, Apeli ka njoftuar përmes një komunikate për media.

“Gjykata e Apelit, e ka aprovuar pjesshëm ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës se Kosovës,  në rastin e të akuzuarve I.T., B.F.,Z.K.,V.H.-P.,R. Th. dhe F.T. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë i datës 06.06.2018, është ndryshuar nga aktgjykim LIRUES në aktgjykim DËNUES. Të akuzuarit në fjalë, janë shpallur fajtor nga ana e Gjykatës së Apelit për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas nenit 422 par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës se Kosovës dhe  janë gjykuar: I.T. me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 3 vjetësh. B.F. me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 2 vjet e 4 muajsh. Z.K. me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 2 vjet e 8 muajsh. Ndërsa V.H.,F.T. dhe R. Th., secilën veç e veç, me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 6 muajsh”, thuhet në njoftimin e Apelit.

Këto dënime, sipas njoftimit të Apelit do të ekzekutohen pas plotfuqishmërisë se aktgjykimit, ndaj të cilit palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh, në Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës.

Sipas Apelit, nga provat që janë pjesë e shkresave të lëndës, janë përmbushur të gjitha elementet e veprave penale, për të cilat ata janë shpallur fajtorë.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 qershor 2018, i kishte shpallur të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës, ish-sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolajn, Zenel Kuçin, Bekim Fushën, Valentina Haxhijajn, Florije Tahirin dhe Remzije Thaqin.

Sipas kryetares së trupit gjykues në shkallë të parë, Valbona Musliu-Selimaj, nuk ishte provuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale më të cilat ngarkoheshin.

Por, aktgjykimin e Themelores, PSRK-ja e kishte kundërshtuar me arsyetimin se ai është marr me shkelje esenciale të dispozitave procedurale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe shkelje të ligjit penal.

Sipas prokurorisë, Ilir Tolaj ka qenë përgjegjës kryesor, i cili nuk ka respektuar dispozitat ligjore si dhe nuk ka ndëshkuar as personat përgjegjës që nuk kishin respektuar ligjin, i cili po të zbatohej, sipas prokurorisë, do të kursente buxhetin e shtetit.

Pretendimet të njëjta sikurse për Tolajn, prokuroria kishte paraqitur edhe për të akuzuarit tjerë në këtë rast.

Po qe se të akuzuarit do të vepronin sipas ligjit, PSRK kishte theksuar në ankesën e saj, se do të evitoheshin mashtrimet e bëra nga ana e operatorit ekonomik në këtë rast.

Në anën tjetër, mbrojtësit e të akuzuarve e kishin kundërshtuar ankesën e PSRK-së, dhe kishin kërkuar nga Apeli që të vërtetojë aktgjykimin lirues të shkallë së parë.

Ndryshe, Gjykimi ndaj Ilir Tolaj dhe të tjerëve kishte zgjatur më shumë se dy vjet, e deri në përfundim të këtij procesi gjyqësor ishin ndërruar tre prokurorë.

Prokurori Admir Shala, i cili kishte ngritur aktakuzën ndaj Ilir Tolajt, Zenel Kuqit, Bekim Fushës, Valentina Haxhijaj, Florije Tahirit dhe Remzije Thaqit në fillim të vitit 2017, ishte zgjedhur Kryeprokuror në Prokurorinë Themelore në Prizren, andaj lënda e tij kishte kaluar të prokurori i Prokurorisë Speciale, Abdurrahim Islami.

Shumë shqyrtime kishin dështuar të mbahen me kërkesë të prokurorit, e të palëve, derisa në fund prokurorja Florije Shamolli kishte marr përfaqësimin e aktakuzës së ngritur nga prokurori Shala.

Ndryshe, ky rast ishte një nga rastet e shënjëstruara për liberalizim të vizave.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale (PSRK), të akuzuarit Ilir Tolaj, në cilësinë e sekretarit të Përhershëm në Ministrinë e Shëndetësisë (MSH), Bekim Fusha në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Departamentit Farmaceutik në MSH dhe Zenel Kuqi në cilësinë e menaxherit të prokurimit në MSH, akuzohen se kanë shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare.

Sipas aktakuzës, gjatë periudhës kohore 23 maj 2011 deri më 31 dhjetor 2011, në bashkëveprim i kanë sjellë përfitime kompanisë “KMI” SHPK Drenas me pronar Arian Lleshin dhe Shpend Aganin në vlerë prej 400 mijë  euro.  Prokuroria pretendon se të lartpërmendurit kanë shkelur Ligjin për Prokurim Publik përgjatë lidhjes së kontratës me kompaninë “KMI” kontratë kjo me vlerë totale prej 1.714.953.74 euro.

Në anën tjetër, Valentina Haxhijaj, Remzije Thaçi dhe Florije Tahiri akuzohen se si anëtare në Komisionin i Mbikëqyrjes së Ekzekutimit të kontratës ku pretendohet se të njëjtat i kanë mundësuar kompanisë “KMI” të bëj manipulim me sasinë e barërave. Me këtë në vazhdimësi Haxhijaj, Thaçi e Tahiri kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Ndërkaq, Zenel Kuqi po akuzohet po ashtu se  në cilësinë e menaxherit të prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë gjatë periudhës ndërmjet 23.05.2011 dhe 31.12.2011 i tejkaloi kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të dobisë materiale nga kompania “ACG dhe “Standart”, për aktivitetin e prokurimit “Renovimi gjeneral i aneksit të Emergjencës ekzistuese në QKUK”, kompania “Alb Architect” në aktivitetin e prokurimit “Renovimi gjeneral dhe adaptimi i katit përdhes në Klinikën Interne, në repartin e ri për dializë në QKUK”, dhe kompania “Life Farm” për aktivitetin e prokurimit “Furnizim me infuzione”, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerën totale 276.307.97 eurove..

Në aktakuzën e njëjtë ishin të përfshirë edhe dy biznesmenët Arion Lleshi dhe Shpend Agani, mirëpo të dy kishin arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me prokurorin special. Si rrjedhojë, gjykata kishte shpallur fajtor dy biznesmenët, duke i dënuar me nga dy vjet burg me kusht dhe me nga 1000 euro gjobë. Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të njëjtit po ashtu obligohen që t’i kthejnë shtetit dëmin e shkaktuar prej 400 mijë eurove.

Sipas prokurorisë, Lleshi dhe Agani, akuzoheshin se kanë bërë paraqitje të rreme apo kanë fshehur fakte, gjë kjo e cila ka rezultuar në dëmtimin e buxhetit të MSH-së si dhe të njëjtit i janë shmangur pagimit të tatimeve dhe kontributeve të tjera për punëtorë të përcaktuara me ligj. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi