Shtyhet gjykimi ndaj ish-kryetarit të Kllokotit dhe të tjerëve

Shtyhet gjykimi ndaj ish-kryetarit të Kllokotit dhe të tjerëve

Të mërkurën, ka dështuar të vazhdojë rigjykimi në Gjykatën Themelore në Gjilan, ndaj ish-kryetarit të Komunës së Kllokotit, tashmë nënkryetar i kësaj komune, Sasha Mirkoviq, dhe zyrtarëve të kësaj komunë, Zeqir Selimi, Strahinja Steviq, Nebahate Pira, të cilët akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Në këtë rast, për keqpërdorim pozite po akuzohet edhe pronari i kompanisë N. T. P “Metali”, Elbasan Alidema, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Si arsye e mos mbajtjes së këtij shqyrtimi gjyqësor, ishte mungesa e anëtarit të trupit gjykues, Aziz Shaqiri dhe ekspertit financiar, Ibrahim Tahiri.

Kryetari i trupit gjykues, Islam Thaçi ka njoftuar se gjykatësi Shaqiri është i angazhuar në një seminar në Prishtinë, dhe se sipas tij ky seminar ka qenë i detyrueshëm.

Ndërsa, eksperti financiar Tahiri, sipas gjykatësit Thaçi, ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt, por që ftesës nuk i është përgjigjur.

Seancën tjetër, gjykatësi Islam Thaçi e ka caktuar të mbahet më 13 mars 2020, në ora 9:00.

Gjykata Themelore në Gjilan, më 15 prill 2019, në mungesë të provave i kishte liruar nga akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ish-kryetarin e Komunës së Kllokotit, Sasha Mirkoviq, tre zyrtarët e kësaj komune, Zeqir Selimi, Strahinja Steviq, Nebahate Pira, si dhe pronarin e kompanisë “Metali”, Elbasan Alidema.

E pakënaqur ndaj këtij vendimi të Themelores, ankesë në Gjykatën e Apelit kishte ushtruar Prokuroria Themelore në Gjilan.

Gjykata e Apelit, e ka aprovuar ankesën e prokurorisë dhe lëndën në fjalë e ka kthyer në rigjykim.

Sipas Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë është marrë në bazë të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, sepse dispozitivi është në kundërthënie me argumentet e nxjerrura në seancën gjyqësore dhe shkresat e lëndës, derisa në aktgjykim nuk ka arsye për faktet të cilat janë treguar në lëndë, ndërsa arsyet janë dhënë në mënyrë të paqartëdhe në masën e njohur kundërthënëse, për çfarë edhe gjetja faktike ka mbetur e vërtetuar në mënyrë të gabuar, ashtu siç tregohet me bazë në ankesën e prokurorisë.

Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ngritur aktakuzë, më 22 dhjetor 2015, ndaj ish-kryetarit të Komunës së Kllokotit, Sasha Mirkoviq, i cili akuzohet për veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”.

Sipas aktakuzës, Mirkoviq në dhjetor të vitit 2012, në cilësinë e kryetarit të komunës ka lejuar nënshkrimin e kontratës për shitblerje me kompaninë NTP “Metali” për inventarin-mobile për zyra, i cili asnjëherë nuk kishte arritur ne objektet e komunës.

Ndërkaq, Zeqir Selimi, Strahinja Steviq dhe Nebahate Pira, akuzohen që si anëtarë të komisionit për pranimin e inventarit të komunës, kanë nënshkruar përmbushjen e kontratës edhe pse një gjë e tillë nuk kishte përfunduar, e gjithë kjo me qellim që Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) të bëjë pagesën për kontratën e blerjes së inventarit nga NTP “Metali”, me çka Komuna e Kllokotit është dëmtuar në vlerë prej 29,330.00 euro.

Ndërsa, i pandehuri Elbasan Alidema, akuzohet se si pronar i firmës N.T.P “Metali”, me qëllim përfitimi, i ka shkaktuar dëm Komunës së Kllokotit.

Gjithmonë sipas aktakuzës, i njëjti më 17 dhjetor 2012 edhe pse nuk e kishte dërguar në komunë inventarin, duke përpiluar faturat, kinse në tërësi është përmbushur kontrata e  5 dhjetorit 2012, në tenderin sipas konkursit KI 660 12 025 121, e që si pasojë nga MAPL-ja i kryhet pagesa nga Komuna e Kllokotit, në vlerë prej 29,330.00 euro. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi