Dështon rigjykimi për korrupsion ndaj zyrtarëve doganorë dhe të tjerëve

Dështon rigjykimi për korrupsion ndaj zyrtarëve doganorë dhe të tjerëve

Mungesa e të akuzuarve Alban Krasniqi e Habib Luta, është bërë shkak që të dështojë seanca e rigjykimit ndaj tyre dhe dy të akuzuarve tjerë, Liridon Borovci e Besnik Polloshka.

Alban Krasniqi dhe Besnik Polloshka, akuzohen për marrje ryshfeti, si dhe Habib Luta për dhënie ryshfeti, kurse zyrtari i firmës “Euro Joni Kosova”, Liridon Borovci, për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Zyrtarët doganorë, Alban Krasniqi e Besnik Polloshka, më 6 shtator 2019, ishin dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me nga gjashtë muaj burgim me kusht dhe me nga 4000 euro gjobë, pasi janë shpallur fajtorë për marrje ryshfeti.

Kurse, pas ricilësimit të veprës penale nga keqpërdorim i pozitës zyrtare, në dhënie ryshfeti, Liridon Borovci, ishte  dënuar me 4000 euro gjobë.

Me 4000 euro gjobë, ishte dënuar edhe i akuzuari tjetër për dhënie ryshfeti, Habib Luta. Ndërkaq, nga një akuzë e tillë ishte liruar i akuzuari Isak Luta, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuar për dhënie ryshfeti në këtë rast ka qenë edhe Isak Luta, i cili ishte liruar nga shkalla e parë e këtë vendim për të e ka vërtetuar edhe Gjykata e Apelit.

Për dy të akuzuarit që nuk ishin prezent, kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kuka- Mekaj, deklaroi se ftesa u është dërguar në mënyrë të rregullt, mirëpo gjykata nuk ka provë se e kanë pranuar atë.

Seanca e ardhshme në këtë rast pritet të mbahet më 23 mars, ora 9:30.

Më 12 dhjetor të vitit 2019, Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim këtë rast sa u përket të akuzuarve Krasniqi, Polloshka, Borovci e Habib Luta.

Sipas Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384, paragrafi 1, pika.12, e që lidhet me nenin 370, paragrafi 6 dhe 7 të KPRK-së, e që këto shkelje kanë ndikuar edhe në vërtetimit e plotë të gjendjes faktike.

Sipas kësaj gjykate, gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsyet për faktet vendimtare, nuk ka arsyetuar secilën provë veç e veç, duke i ndërlidhur njëra me tjetrën, e që pastaj të vërtetojë një gjendje faktike të plotë.

“Dispozitivi i aktgjykimit është në kundërshtim me arsyetimin si dhe gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye përse disa prova ua ka falur besimin e disa jo, gjegjësisht pretendimeve të mbrojtjes lidhur me disa prova për të cilat mbrojtja ka pretenduar se janë të papranueshme, gjegjësisht në ato prova nuk është dashur të mbështet aktgjykimi”, thuhet në vendim të Apelit.

Nga Apeli është thënë se gjykata e shkallës së parë duhet t’i eliminojë të gjitha shkeljet e cekura, t’i administrojë të gjitha provat dhe të njëjtat t’i vlerësojë në pajtim me dispozitën e nenit 370, paragrafi 6 dhe 7b të KPP, të deklarohet për të gjitha pretendimet ankimore të mbrojtjes dhe varësisht nga rezultati i vlerësimit të provave të nxjerr konkluzione të drejta të ligjshme e të bazuara në provat e administruara e të marr vendim përkatës.

Ndryshe, në seancën e mbajtur më 14 dhjetor 2018, i akuzuari për dhënie ryshfeti, Habib Luta, kishte pranuar se u kishte dhënë ryshfet dy zyrtarëve doganorë, Alban Krasniqi dhe Besnik Polloshka, por kishte mohuar që të ketë kontaktuar drejtpërsëdrejti me ta, siç thuhet në aktakuzë.

Në këtë rast, seancat fillestare janë bërë ndaras ndaj të akuzuarve, pasi që fillimisht i akuzuari Isak Luta, kishte pranuar të hynte në negocim të marrëveshjes për pranim fajësie, por që më pas ajo ishte refuzuar nga gjykata.

Pas refuzimit të kësaj marrëveshje, ai ishte deklaruar i pafajshëm.

Gjithashtu, ndaras ishte mbajtur edhe seanca ndaj Liridon Borovcit, që gjithashtu kishte arritur marrëveshje për pranim fajësie, por që në seancën e 7 shtatorit të vitit 2018, ishte refuzuar nga gjykata.

Shkak i mos pranimit të kësaj marrëveshje, sipas gjykatëses Nushe Kuka-Mekaj, është se veprimet e të akuzuarit Borovci në raport me shkresat e lëndës nuk përkojnë me një vepër të tillë penale.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 18 korrik 2018, ndaj  Alban Krasniqi dhe Besnik Polloshka, zyrtarë doganorë, si dhe zyrtarit të firmës “Euro Joni Kosova”, Liridon Borovci.

Sipas aktakuzës, zyrtarët doganorë Alban Krasniqi dhe Besnik Polloshka, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “marrja e ryshfetit”, ndërsa i akuzuari tjetër Liridon Borovci, për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”

Siç pretendon prokuroria, më 9 nëntor 2015, të akuzuarit Alban Krasniqi dhe Besnik Polloshka, të dy në cilësinë e zyrtarëve doganorë, për ekzaminimin e mallit në Drejtorinë Rajonale të Doganës në Kosovë, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, kanë tejkaluar kompetencat e tyre e tyre e qëllim që të përfitojë dobi pasurore, ku me rastin e zhdoganimit të mallit, kishin kërkuar nga Isak Luta dhe Habib Luta, si vozitës i kamionit, shumën prej 450 euro.

Ndërsa, siç pretendon prokuroria, i akuzuari tjetër, Liridon Borovci, si zyrtar i kompanisë “Euro Joni Kosova” duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, tejkalon kompetencat e tij, me qëllim që të fitojë çfarëdo dobie pasurore, për vete apo për personin tjetër, dhe për t’i shkaktuar dëm personit tjetër, vazhdimisht ka biseduar me të akuzuarin Besnik Polloshka, dhe atëherë të akuzuarin Habib Luta, duke i bindur që të japin ryshfet shumën prej 450 euro, me qëllim të zhdoganimit të mallit.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 7 qershor 2018, kishte pranuar kallëzim penal shtesë, për dy të dyshuarit për dhënie ryshfeti, Isak dhe Habib Luta.

Kështu, Prokuroria Themelor, në Prishtinë më 20 shtator 2018, kishte bërë zgjerimin e akuzës ndaj të akuzuarit Habib Luta, e më 22 gusht 2018, ndaj të akuzuarit Isak Luta, për veprën penale dhënie e ryshfetit.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Isak Luta, në mënyrë të drejtpërdrejtë i kishte ofruar të holla në shumën prej 450 euro,  zyrtarëve doganorë, Besnik Polloshka dhe Alban Krasniqi.

Sipas prokurorisë, këto veprime i kanë bërë me qëllim që mallin e sjell nga Habib Luta, ta zhdoganojnë, duke mos e lajmëruar si mall të ri, por si të vjetër sipas parametrave që i parasheh Dogana e Kosovës.

Me këto veprime të akuzuarit Isak dhe Habib Luta, akuzohen se kanë kryer veprën penale “dhënie ryshfeti” nga neni 429 par.1 i KPRK-së. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi