Kurti paralajmëron reciprocitet në vend të taksës, opozita kundër

Kurti paralajmëron reciprocitet në vend të taksës, opozita kundër

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha sot se taksa prej 100% ndaj produkteve serbe do të zëvendësohet e reciprocitet dhe për këtë janë duke u bërë përgatitjet e nevojshme.

"Ne po i bëjmë të gjitha përgatitjet e duhura në mënyrë që reciprociteti ta zëvendësojë taksën 100 % .Këtë do ta bëjmë për aq shpejtë sa do të mund ta arrijmë. Nuk  duam as të vonohemi as të ngutemi", tha Kurti.

Në PDK thonë se kryetari Kadri Veseli ka qenë gjithmonë për pezullim të taksës por jo pa marrë diçka në këmbim, andaj thonë se kryeministri Kurti nuk duhet të ngutet.

"Është shqetësuese nxitimi dhe ngutia e kryeministrit që taksën ta largoj në ditën e parë të punës dhe aq më tepër pa ndonjë plan konkret shtetëror për taksën dhe dialogun”, tha Bashmir Xhemaj, zëdhënës i PDK-së.

Por një gjë të tillë po vazhdon ta kundërshtojë ish-kryeministri Ramush Haradinaj.

“Presidenti Trump në letrat e tij dërguar Kosovës dhe Serbisë kërkoi shprehimisht njohjen e Kosovës nga Serbia. Edhe ne po kërkojmë të njëjtën. Taksa të hiqet me njohje, dhe zgjidhet problemi. Mos e bëj dorëzimin përpara njohjes nga Serbia, sepse do mbetesh duarthatë!”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.

Kurse analisti politik Rrahman Paçarizit, tha se askush nuk mund ta pengojë Kosovën në vendosjen e reciprocitetit. "Reciprociteti d.m.th sjellje në mënyrë të njëjtë me masa të njëjta në raport me shtetin tjetër. Kosova nuk parashihet të jetë një vend i cili do të aplikoj masa të caktuara ndaj Serbisë, por masave të tyre do tu përgjigjet me masa të njëjta dhe këtu askush nuk mund t'i reagojë Kosovës", tha Paçarizi për RTK.

Por, analisti Fisnik Halimi, reciprocitetin e sheh si mision të pamundur. "Marrëveshja e Brukselit parasheh një varg masash reciproke. Përtej marrëveshjeve të Brukselit, Kosova Serbisë nuk mund ti vendos reciprocitet për arsye se Kosova nuk bën pjese në shumicën e trupave ndërkombëtare të cilat e rregullojnë çështjen e reciprocitetit”, tha Halimi për RTK.

RTK ka dërguar pyetje në ambasadën e SHBA-së në Prishtinë për ta mësuar nëse SHBA e përkrah idenë e vendosjes se reciprocitetit të plotë politik, ekonomik dhe tregtar Kosove-Serbi, por gjatë ditës nuk ka marrë përgjigje për këtë çështje.


ARTIANA MATOSHI, RTK