Promovohet `Flirting with Leftovers`, flet për ish-restorantin “Marsi"

Promovohet `Flirting with Leftovers`, flet për ish-restorantin “Marsi"

Fondacioni “Shtatëmbëdhjetë” promovon sonte, më 13 shkurt, në orën 19:00, librin artistik "Flirting with Leftovers". Promovimi bëhet në hapësirën e fondacionit “Shtatëmbëdhjetë”. Ky libër artistik i realizuar nga artistja me nofkën “Koja” vjen si rezultat i punës hulumtuese dhe artistike, që është bërë vitin e kaluar në objektin e braktisur, i cili ndryshe njihet edhe si ish-restoranti “Marsi”.

Puna hulumtuese në terren, bashkëbisedime me personazhe, të cilët ndajnë kujtime dhe informata në lidhje me historinë e objektit, po ashtu edhe me personalitete e pjesëmarrës që shpalosin detaje rreth historisë moderne në Kosovë, për rëndësinë e objektit në aspektin arkitektonik, janë përmbledhur në librin artistik "Flirting with Leftovers". Gjithashtu edhe detaje të tjera të rëndësishme rreth intervenimit artistik, që zuri vend më 15 tetor të vitit të kaluar. Qëllimi i këtij libri është të shërbejë si një dokument, i cili vë në pah rëndësinë e ruajtjes së memories kolektive dhe rijetësimit të objekteve të braktisura, të cilat mund të kthehen në hapësira për shfrytëzim nga komuniteti.

Intervenimi artistik "Flirting with Leftovers" u mbajt në kuadër të edicionit të dytë të “Metamorphosis”, projekt ky i cili zbatohet nga fondacioni “Shtatëmbëdhjetë” dhe ka për qëllim nxitjen e ndryshimeve pozitive në shoqëri përmes mundësimit të vitalitetit kulturor dhe kreativitetit. “Metamorphosis” e përdor artin dhe kulturën si mjet kryesor për të ngritur zërin për rëndësinë e shfrytëzimit të hapësirës publike dhe veçanërisht fokusohet në objekte/monumente/hapësira publike, të cilat janë produkt i proceseve të ndryshme shoqërore. Për këtë arsye nuk është e mjaftueshme për t’u hulumtuar dhe për t’u dokumentuar vetëm përbërja e materialeve, por edhe funksioni i tyre, i cili ndryshon nga vetë shoqëria. Prandaj përmes “Metamorphosis” synohet të analizohet lidhja midis objekteve/monumenteve dhe vetëdijes publike, në mënyrë që nga njëra anë të kuptohet më mirë logjika e formimit dhe e organizimit të korpusit të njohurive publike në hapësirën publike, dhe, nga ana tjetër, të sqarohet qartë roli aktiv shoqëror i objekteve/monumenteve.

Gjatë prezantimit të librit “Koja” do të ndajë detaje rreth konceptit të saj e po ashtu edhe punës që është bërë për realizimin e librit, i cili është botimi i parë i fondacionit “Shtatëmbëdhjetë”.

Artistja “Koja” bashkë me ekipin e saj, të përbërë nga Skender Xhukolli, Sami Podvorica dhe Endrit Jashanica, kanë hulumtuar historinë e objektit dhe kanë grumbulluar materialin, i cili dokumenton funksionin e tij përgjatë viteve. Dëshmi nga kohët kur ky objekt ishte funksional u prezantuan të martën para publikut.

Objekti i NSHT-së “Voçari” është ndërtuar në vitet 1975 - 1976 dhe ka shërbyer si vetëshërbim i madh deri në fillim të vitit 1992. Objekti thuhet të ketë luajtur rol të madh në zhvillimin dhe në emancipimin e lagjes e të komunitetit. Megjithatë, siç e dëshmojnë edhe fotografitë, ditët më të mira ky objekt i ka pasur në periudhën 1995 - 1998, kur u përdor si restorant. Restorant “Marsi” ishte njëri nga restorantet më ekskluzive në kryeqytet. Aty u mbajtën mbrëmje të ndryshme muzikore, matura, dasma e xhirime me artistët më me zë të estradës së asaj kohe. Si i tillë ky restorant funksionoi deri në vitin 1998, kur edhe ndodhën masakrat në Likoshan e në Qirez. Menjëherë pas luftës më 1999-n e deri më 2001-n vendi shërbeu si klub nate me emrin “Miami Beach”, por lokali u mbyll nga KFOR-i pas përleshjeve të pronarit me klane të ndryshme të dala nga lufta. Vendi qëndroi i hapur si lokal vetëm edhe 6 muaj pas, deri në vitin 2002, i emëruar si “Delfin”, për t’u mbyllur dhe për të kaluar në një status tejet të ndërlikuar dhe me kontest të hapur gjyqësor.

“Ky projekt realizohet me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij projekti është përgjegjësi e fondacionit ‘Shtatëmbëdhjetë’ dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian, i IKS-së, i Lensit ose i FES-it”.