Radiot në Kosovë, sfida e mbijetesës përballë rrjeteve sociale

Radiot në Kosovë, sfida e mbijetesës përballë rrjeteve sociale

Fazli Veliu - Kryetar i Bordit të Institutit të Medies Kosovë

Në të gjithë botën, rritja e mediave sociale po bën që mediat tradicionale, siç është radioja, të rimendojnë se si të bashkëveprojnë me audiencën dhe si ta shpërndajë përmbajtjen e tyre.

Për ata që janë të përfshirë në zhvillimin e mediave, kombinimi i mediave sociale dhe radiove lokale është gjithashtu një shans për të forcuar pjesëmarrjen e komunitetit, veçanërisht të grupeve të margjinalizuara. Në Kosovë, rrjetet sociale kanë vështirësuar funksionimin e radiostacioneve, sidomos të atyre lokale, të cilat ende nuk kanë arritur ta gjejnë rrugën e duhur që të bashkëjetojnë me rrjetet sociale. Një numër i tyre janë duke punuar në kushte të vështira pasi e ardhmja e tyre është vënë në dyshim. Duke u nisur nga fakti që radioja është mediumi më origjinal shoqëror dhe ka qenë lidhëse mes komunitetit dhe dëgjuesit, kjo lidhje shtrihet edhe përtej transmetimit. Natyrisht, ajo kalon nga media tradicionale në media sociale dhe përsëri kthehet, andaj bërja e një strategjie të funksionimit të radiostacioneve në Kosovë përballë rrjeteve sociale është më se e domosdoshme, në mënyrë që mos të kemi shuarje të zërit të radios në shumë lokalitete të Kosovës. Kosova ka ende punë në funksionalizimin e ligjit për të drejtat e autorit. Janë 84 radiostacione nacionale e lokale që janë të licencuara në Komisionin e Medias në Kosovë,dhe të cilat të po sfidohen nga rrjetet sociale .

Dëgjuesit janë të pasionuar pas stacioneve të tyre në radio, pas personaliteteve që u flasin atyre çdo ditë dhe ndikimin që ka radioja në jetën e tyre, dhe nuk ka provë më të mirë sesa të dëgjosh direkt një dëgjues në radio.

Sot jemi dëshmitarë se media sociale ka pushtuar botën. Individët përdorin mediat sociale si një platformë për të shprehur ndjenjat dhe mendimet e tyre. Shumica e bizneseve dhe ndërmarrjeve të tjera po përfitojnë gjithashtu nga bazat e mediave sociale për të lulëzuar. Si një fushë tjetër, media sociale ka ndikime të ndryshme edhe në botën e radios.

Radioja është mediumi më intim: karakteri i saj është për nga natyra lokale, rajonale ose në maksimumin kombëtar dhe kështu është edhe audienca e saj: dëgjuesit janë të interesuar për lajmet lokale, informacionin e shërbimit lokal, parashikimet lokale të motit, bllokimet e tyre lokale të trafikut etj.

Por, mos të harrojmë se pavarësisht sfidave që ka përpara apo teknologjisë që do të zhvillohet, radioja gjithmonë do të ketë një vend dhe rol të rëndësishëm në jetën tonë.

Të theksojmë se ,UNESCO 13 shkurtin e ka shpallur këtë festë për të promovuar radion si medium dhe të gjitha mundësitë që ajo ofron.

Kjo datë është zgjedhur pasi në këtë datë, në vitin 1946, Radio e Kombeve të Bashkuara ka emetuar programin e parë.