Bushati: Reformat tona do e mbajnë Shqipërinë në demokraci

Bushati: Reformat tona do e mbajnë Shqipërinë në demokraci

Deputeti i Partisë Socialiste Ervin Bushati u shpreh sot se nuk ka zgjedhje të parakohshme. “Ne po bëjmë reforma që e mbajnë Shqipërinë në demokraci në zhvillim ekonomik në sundim të ligjit, për shumë vite që do të vijnë dhe këtë e bën një politikë e përgjegjshme”, u shpreh ai.

Në një intervistë televizive, Bushati theksoi se, “nuk ka për të pasur zgjedhje të parakohshme. PD nuk është gati me veten e vet. Gjithë argumentet e tjerë që hedh opozita për qeveri kujdestare dhe zgjedhje të parakohshme janë për të qetësuar zgjedhësit e tyre dhe nuk janë për t’u marrë seriozisht nga ne. Ne marrim parasysh vetëm argumentet e ndërkombëtarëve”.

Ai shpjegoi se ulja e opozitës në tryezën e Reformës Zgjedhore është një sinjal pozitiv për qetësimin dhe reflektimin e vetë PD-së, pasi nuk mund të bëhet politika jashtë institucioneve.

“Qoftë nga ana strukturore apo puna që po bëjmë, Partia Socialiste sot, po të futet në zgjedhje merr më shumë deputetë. Pasi ne jemi gati, jemi në fazë zhvillimi dhe e dimë çdo të thotë ngritje e strukturës. Ne do të bëjmë ato që na ka thënë OSBE/ODIHR dhe të pranojmë çdo propozim të këtyre institucioneve. Mbi bazën e këtyre propozimeve kanë punuar dy ish ministra të PD-së për reformën Zgjedhore dhe nuk mund të plotësojmë tekat individuale. “PD ka bërë vendimarje të gabuara, duke i lënë pa përfaqësim zgjedhësit demokratë”, – argumentoi Bushati.

Duke u ndalur në çështjen e votës së lirë, Bushati theksoi se, “nuk ka gjë që e ndal votën e popullit. Çështje të ndikimit të votës janë shfaqje të natyrës njerëzore që ndodhin kudo dhe janë çështje të drejtësisë. Ne për herë të parë kemi pranuar të ndërtojmë një sistem drejtësie, jashtë gravitetit të politikës dhe të dënojmë edhe politikanët”.

Ka ardhur koha theksoi Bushati, që qytetarët të kërkojnë nga klasa politike të piqet dhe jo të ndërrojë sistemi. “Ata që abuzojnë me vullnetin e qytetarëve në fund të ditës drejtësia i dënon. Të presim që vetë politika të pastrohet është njësoj si të presësh nga një neokirurg të operojë trurin e vet pa anestezi. Reformën në Drejtësi nuk e kemi pasur dhe për herë të parë po njohim forcën e ligjit. Për 30 vite kemi avancuar shumë”, tha ai.

“Vullneti ynë për të qenë sa më shpejt pjesë e familjes europiane, na ka ulur me opozitën edhe për të diskutuar mbi Reformën Zgjedhore”, deklaroi Bushati. /ATSh


MË SHUME NGA Mbarëshqiptare