Dënim me kusht për të akuzuarën që kishte shkuar Siri për ta kthyer djalin

Dënim me kusht për të akuzuarën që kishte shkuar Siri për ta kthyer djalin

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me dy vjet burgim me kusht të akuzuarën për pjesëmarrje në grupin terrorist, ISIS, Fikrije Lutfiu, pasi që më herët ajo kishte pranuar fajësinë.

Ky dënim i shqiptuar ndaj të akuzuarës Lutfiu nuk do të ekzekutohet nëse ajo nuk kryen vepër tjetër penale brenda afatit prej tre viteve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Shpallja e aktgjykimit është bërë të enjten nga gjykatësja e Departamentit Special, Albina Shabani-Rama.

Gjykatësja Shabani-Rama ka njoftuar se nëse e akuzuara kryen vepër të re penale, atëherë dënimi me kusht do t’i zëvendësohet në atë me burgim, ku do të llogaritet edhe koha që ajo e ka kaluar në arrest shtëpiak.

Krahas dënimit të kushtëzuar, e akuzuara Lutfiu është obliguar që të përmbushë detyrimin, vizitë tek psikologu apo këshilluesi, për një periudhë dyvjeçare.

Për mbikëqyrjen e ekzekutimit të dënimit me kusht dhe detyrimit të shqiptuar ndaj të akuzuarës, është obliguar Shërbimi Sprovues i Kosovës.

Revokimi i dënimit me kusht, sipas gjykatëses, do të bëhet edhe në rast se e akuzuara nuk mban kontakte me shërbimin sprovues ose nuk përmbush detyrimet me të cilat është ngarkuar.

E akuzuara Luftiu është liruar nga pagesa e shpenzimeve procedurale, me arsyetimin se kjo do ta rrezikonte ekzistencën materiale të saj dhe familjarëve tjerë.

Ndaj këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese brenda 15 dite nga pranimi i kopjes së tij.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 31 dhjetor 2019 ka ngritur aktakuzë ndaj Fikrije Lutfiut për shkak të veprës penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga neni 143 par.2 të KPRK-së.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 31 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Fikrije Lutfiut për shkak të veprës penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga neni 143, paragrafi 2 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës së ngritur nga PSRK-ja, Fikrije Lutfiu, akuzohet se më 12 shtator 2014, me dashje, me vetëdije të plotë e ka lëshuar vendbanimin e përhershëm të saj në Republikën e Kosovës dhe përmes Aeroportit të Prishtinës, ka udhëtuar për në Stamboll përmes Republikës së Turqisë dhe ka hyrë në Siri, ku edhe është bashkuar me bashkëshortin e saj, i cili kishte udhëtuar përmes Aeroportit të Shkupit, me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste ISIS.

PSRK-ja pretendon se kjo organizatë, në këto vende është duke luftuar dhe vepruar, duke shkaktuar akte dhune, maltretime të ndryshme e deri te vrasjet e civilëve të pafajshëm në këto shtete, nga e cila organizatë e akuzuara është financuar rregullisht me një shumë të hollash prej 50 eurove në muaj. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi