Prishet koalicioni VV-LDK në Prizren, kryesues zgjidhet kandidati i PDK-së

Prishet koalicioni VV-LDK në Prizren, kryesues zgjidhet kandidati i PDK-së

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka bërë të ditur se koalicioni mes LVV-së dhe LDK është prishur. Krejt kjo pas zgjedhjes së kryesuesit të Kuvendit Komunal, në votim të të cilit nuk ka marrë pjesë LDK-ja.

Në seancën e jashtëzakonshme kryesues është zgjedhur kandidati i PDK-së, Sulltan Badallaj.

Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka, pas votimit të kryesuesit doli në një konferencë për media, ku tha se me dështimin e zgjedhjes së kandidatit të tyre do të vazhdojnë të vetëm në Kuvendin Komunal.

“Uroj që u krye më në fund ky procesi i zgjedhjes së kryetarit të Asamblesë Komunale, ngase më shumë se dy muaj janë duke u pritur diku më shumë se 20 vendime të cilat janë gati që duhet të votohen në asamble. P o më vjen keq që LDK nuk ka qenë prezentë në votim dhe ne e kemi humbur si koalicion kryesuesin e Asamblesë Komunale. Arsyeja pse kemi qenë në koalicion ka qenë Asambleja Komunale, do të thotë për të kaluar vendimet më lehtë dhe me pas një bashkëpunim të lehtë ndërmjet qeverisjes ekzekutive dhe qeverisjes legjislative në komunë. Me këtë humbje koalicioni jonë nuk ka kuptim në aspektin e LDK-së, prandaj do të vazhdojmë vetëm në këtë aspekt”, tha ai.

I pyetur se a ka pasur ndonjë kërkesë LDK për të votuar dhe për të marrë pjesë në seancë, ai tha se edhe në zgjedhjen e kryesuesit ka pasur kushtëzime nga ana e LDK-së.

“Ju e dini kanë qenë disa votime kanë qenë kushtëzime edhe këtu ka pasur kushtëzim, prandaj nuk mendoj që një koalicion mund të vazhdojë nëse ka probleme të tilla”, tha ai.

Prizreni kishte mbetur pa kryesues të Kuvendit, pasi që Artan Abrashi është zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës.