6 javë pa mësim në disa fshatra të Kamenicës, Ministrja takon Kastratin

6 javë pa mësim në disa fshatra të Kamenicës, Ministrja takon Kastratin

Në orët e paradites, do të duhej të ishin në orë mësimore. Por tash e 6 javë, nxënësit e Topanicës së Kamenicës, kohën e kalojnë duke luajtur në oborrin e shkollës.

Mësimi nuk po mbahet as në Koretin, Busavatë e Krilevë, meqë prindërit kundërshtojnë reformën për riorganizimin e shkollave.

Prindërit insistojnë se reforma e nisur nga kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, është e gabuar, andaj nuk do t'i dërgojnë fëmijët në shkollat e fshatrave tjera.

Për ta zgjidhur këtë situatë, në Kamenicë qëndroi ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami.

Pas takimit më shumë se njëorësh me kryetarin e komunës, ministrja tha se kjo situatë do të zgjidhet sipas ligjit.

Qëndrimin e tij insistues pro reformës, Kastrati thotë se ia prezantoi edhe ministres.

Gjatë ditës, ministrja e Arsimit është takuar edhe me këshillat e prindërve, në fshatrat që janë prekur nga kjo reformë.

Janë rreth 600 nxënës në fshatrat e Kamenicës, që tash e sa kohë nuk po mbajnë mësim./Besian Beha, RTK