Dokumentari për Bekim Fehmiun, premierë në 10-vjetorin e vdekjes së tij

Dokumentari për Bekim Fehmiun, premierë në 10-vjetorin e vdekjes së tij

Më 15 qershor të këtij viti jepet premierë dokumentari kushtuar aktorit Bekim Fehmiu. Ky dokumentar i kushtohet 10-vjetorit të ikjes nga jeta të aktorit Bekim Fehmiu. Publikimi do të bëhet pikërisht në datën e largimit të aktorit nga kjo botë.

Ekipi i filmit dokumentar “Bekim Fehmiu”, në një konferencë për medie të mbajtur të ënjten, tha se procesi i realizimit të këtij dokumentari ka filluar në vitin 2016, por për shkak të mungesës së fondeve nuk është përfunduar deri tash.

Skenaristi i dokumentarit, njëherësh gazetari Fahri Musliu, tha se dokumentari do të jetë i metrazhit të gjatë. “Pas bisedave të shumta në vitin e kaluar pranova ta shkruaj skenarin. Për mua ishte hera e parë që po merrem me film, që po shkruaj skenar. Të them të drejtën isha pak skeptik se të shkruash skenar për Bekim Fehmiun ndoshta ka qenë bekim i madh në çdo aspekt edhe profesional, edhe njerëzor, edhe intelektual, edhe patriotik. Nuk është lehtë, mirëpo e kreva meqë kam shkruar edhe monografi për Bekimin. Jam shoqëruar me të me vite të tëra, me dekada, e kam njohur bukur mirë dhe skenarin edhe regjisori, edhe njerëz të tjerë e kanë vlerësuar si të mirë, të suksesshëm. Skepticizmi im ishte te ana materiale, sepse të realizohet një film i tillë kërkon një angazhim të madh, mirëpo dëshira dhe përkushtimi për ta realizuar këtë film ndoshta do t’i tejkalojë të gjitha këto barriera. Filmi do të jetë i metrazhit të gjatë më tepër se 60 minuta, 90 minuta dhe planifikojmë të rrumbullakojmë diku me xhirime dhe montazh në fund të majit që të jetë i gatshëm për 15 qershor, në ditën e largimit fizik të Bekimit nga kjo botë”, tha Musliu.

Musliu u shpreh i zhgënjyer për faktin se Qendra Kinematografike e Kosovës i ka mbështetur katër projekte të huaja, por jo edhe projektin për aktorin e njohur Bekim Fehmiun.

Ndërsa regjisori i dokumentarit “Bekim Fehmiu”, Valmir Tertini, tha se për realizimin e këtij dokumentari ka ndihmuar Qendra Kinematografike e Shqipërisë, pasi ajo e Kosovës nuk i ka sponsorizuar. “Nga viti 2016 e nisëm skenarin që plotësisht është marrë Fahri Musliu me skenarin edhe nga viti 2017 - 2018, edhe intensivisht punuam. Në vitin 2019 aplikuam në Qendrën Kinematografike në Kosovë dhe nuk fituam, por gjatë kësaj kohe ne kemi pasur hapësirë për të aplikuar edhe nëpër qendra të tjera, siç është Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri, e cila ka sponsorizuar filmin. Po ta sponsorizonte Kosova do të ishte më mirë, sepse tash do t’i kishim xhirimet, të cilat kanë nisur nga mesi i muajit të kaluar. E kemi skenarin po përmbushet ashtu siç e kemi shkruar. Xhirimet kanë nisur në Beograd për të vazhduar në vendlindjen e Bekimit në Sarajevë”, deklaroi Tertini.

Tertini u shpreh krenar për realizimin e këtij dokumentari, që sipas tij Bekim Fehmiu e meriton plotësisht t’i kushtohet një punë të tillë.

Bekim Fehmiu është aktori i parë shqiptar, i cili ka luajtur me sukses në filma gjatë kohës së ish-Jugosllavisë. Ndër rolet më të njohura të tij janë “Prova speciale”, “Odissea”, “Aventurieri”, “Rruga”, “Vitet e nxehta”, “Dezertori”, të cilat përmenden si kryevepra.

Fehmiu ka qenë një nga personalitetet që ka lënë gjurmë në kinematografinë ballkanike, por mbi të gjitha ai është i madh për kontributin artistik në kinematografinë botërore. Pas filmit “Mbledhësit e puplave” disa nga filmat e tjerë ku ai u prezantua janë “Gethi i Gjerë”, “Kurthi për Gjeneralin”, “Era”, etj.

Më 15 qershor të vitit 2010 aktori i mirënjohur Bekim Fehmiu u gjet i vdekur në apartamentin e tij në Beograd. Ndonëse më 2010-n kur artisti vdiq Parlamenti i Kosovës nuk denjoi të mbajë një minutë heshtje për vdekjen e tij, prej vitesh në Kosovë e në Serbi organizohet festivali “Mirëdita, Dobar Dan”, që mëton t’i shkëmbejë kulturat e Kosovës e të Serbisë dhe aktivitetet e artistëve më të mirë të të dyja vendeve. “Njeriu nuk duhet të fajësojë për diçka që i ndodh as babanë as vëllezërit, as fqinjën, as perënditë, por vetëm veten. Njëra nga tragjeditë tona lidhet me atë, që duke jetuar për shekuj së bashku nuk kemi mësuar nga njëri- tjetri, por dhe kur e kemi bërë këtë kemi mësuar vetëm të keqen”, pati thënë Bekim Fehmiu.

Gjashtë ditë pas vdekjes së tij në kinemanë ABC në Prishtinë u mbajt një mbledhje përkujtimore. Aty djali i tij Uliksi, duke plotësuar amanetin e të atit, recitoi baladën antologjike. “Njeriu këndon pas luftës” të poetit serb Dushan Vasiljev. Ishte testamenti i fundit i Bekimit që kjo baladë të recitohej pas shuarjes së tij. Balada u krijua në fillim të shekullit të kaluar.

Ish-ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë asokohe Ivica Daçiq, pati thënë se Fehmiu u gjet i vdekur në apartament dhe revolja ishte e regjistruar në emrin e tij. Ai vdiq në moshën 74-vjeçare. Rolet e tij në “Prova speciale”, “Odiseja”, “Aventurieri”, “Rruga”, “Vitet e nxehta”, “Dezertori”, përmenden si kryevepra. Për t’u rrëfyer edhe më mirë jeta dhe veprimtaria artistike e Fehmiut “Samizad B92” ka botuar librin e tij “Shkëlqim dhe tmerr”. Aktualisht i biri i tij, Uliks Fehmiu, po vazhdon rrugën e aktrimit. Ai ka mbi 20 vjet që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.