Dëmet e tërmetit në Shqipëri në monumentet e kulturës, 5.75 milionë euro

Dëmet e tërmetit në Shqipëri në monumentet e kulturës, 5.75 milionë euro

Dëmet e tërmeteve të fundit që goditën Shqipërinë në monumentet e kulturës janë 5.75 milionë euro, ku 23 objekte janë me risk të lartë.

Komisioni i Edukimit dhe i Mjeteve të Informimit Publik zhvilloi një seancë dëgjimore me ministren e Kulturës në Shqipëri, Elva Margariti, për çështjet që lidhen me qendrat e trashëgimisë kulturore dhe me muzetë e dëmtuar, si pasojë e tërmetit, ku Margariti raportoi për rezultatet e inspektimit dhe me  masat e ndërmarra.

Ministrja Margariti u shpreh se në zonën e prekur nga fatkeqësia (qarqet Durrës, Tiranë, Lezhë), listohen gjithsej 54,298 objekte të luajtshme, 32,368 ndodhen në muze dhe depo. Ajo u shpreh se pati një vlerësim të shpejtë dhe vizual në objekte dhe zona të trashëgimisë kulturore dhe për këtë vlerësim u përdor “Formulari për vlerësimin e dëmtimit në trashëgimi kulturore”. Për objektet që patën paraqitur problematika të konsiderueshme, ministrja Margariti tha se grupet teknike kanë bashkëpunuar me Institutin e Ndërtimit, Shërbimin Gjeologjik Shqiptar dhe bashkitë gjegjëse në momentin më të parë. Sipas të dhënave të parashtruara në dëgjesë nga ministrja Margariti, në total janë 260 objekte të inspektuara imtësisht, nga të cilat 111 objekte gjenden në zonën më të prekur.

Nga inspektimi janë klasifikuar 23 objekte me risk të lartë, 30 objekte pjesërisht të papërdorshme, 48 objekte pa rrezik. Vlera e përllogaritur e efektit të tërmetit, humbje dhe dëm në trashëgimi kulturore është 707.58 milionë lekë ose 5.75 milionë euro. Ministrja e Kulturës, ndër masat e menjëhershme të marra nga institucioni i saj, listoi pesë hapa: Informimi i komunitetit për zonat që paraqesin rrezikshmëri; mbyllja e muzeve dhe siteve me vizitorë; puntelim, çmontim dhe riparim për zonat që paraqesin rrezikshmëri; rivelim, studim dhe hartim projektesh të vënies në siguri për zonat që paraqesin rrezikshmëri; kërkesa për bashkëpunime dhe mbështetje; përgatitja e raportit të detajuar për sektorin e kulturës në kuadër të “PDNA 2020”.

Gjatë kësaj kohe herë pas here edhe në faqen e Ministrisë së Kulturës janë publikuar inspektimet që janë bërë në monumentet e kulturës në vend, ku kanë marrë pjesë dhe ekspertë të huaj të trashëgimisë kulturore.