Histori e Shkurtër

UNMIK/OSBE ftojnë Unionin Evropian të Transmetimeve (EBU) të vendosë dhe të menaxhojë një transmetues të pavarur publik në Kosovë sipas Memorandumit të Mirëkuptimit (MOU) të OSBE-së. Më 19 shtator RTK-ja fillon transmetimin e një shërbimi 2-orësh televiziv analog satelitor. Në tetor OSBE-ja bën transferimin e radio stacionit të ripërtërirë publik “Radio Prishtina” në RTK. Ajo rilansohet si “Radio Kosova”.

2000

Radio stacioni i OKB-së, “Radio Kosova 2” i bashkohet RTK-së. ‘Kosova 2’ është stacion multietnik që i dedikohet audiencës së të rinjve. Në tetor paisjet teknike në Televizion dhe Radio avansohen mjaft, në saje të një donacioni substancial nga Qeveria e Japonisë. Në nëntor Radio Televizioni i Kosovës fillon zgjerimin e programit dhe shtohet në katër orë në ditë. Në skemën e re programore fillon transmetimi i magazinit informativ në serbisht, si plotësim i lajmeve ditore në gjuhën serbe. Ndërkaq, më vonë filluan lajmet dhe magazini informativ në turqisht. Radio dhe Televizioni fillojnë transmetimin në Rrjetin e ri të Transmetimit Terrestrial të Kosovës.

2001

Në qershor të këtij viti Rregullorja e Transmetimeve e UNMIK-ut 2001/13 krijon formalisht RTK-në si transmetues të shërbimit publik me një Bord jopolitik të Drejtorëve. Të dy radio stacionet nisin audio transmetimin e drejtpërdrejtë në faqet e tyre te internetit për të arritur audiencën anembanë botës. Në korrik RTK zgjeron transmetimin në shtatë orë.Nisin lajmet në gjuhën boshnjake.Televizioni transferohet nga sateliti analog në digjital. Në shtator krijohet Bordi i Drejtorëve dhe ai zgjedh Adem Demaçin kryetar. Në dhjetor përfundon mandati i EBU-s në RTK. Agim Zatriqi emërohet i pari Drejtor i Përgjithshëm vendor. RTK-së i jepet pjesë finansimi vjetor nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës, në pritje të inicimit të parapagimit publik në vitin 2003.

2002

Televizioni zgjerohet në transmetim më shumë se 15-orësh në ditë në tokësor dhe satelitor. 65% e programit është i prodhimit të shtëpisë dhe 35% i blerë nga transmetues apo shtëpi të huaja produksioni. Në janar të këtij viti RTK hap korrespondenturën e rregullt në Tiranë. Në muajin prill fillon punën programi i mëngjesit, që mbulon dy orë program të drejpërdrejt. Në qershor lansohet magazine javore në gjuhën boshnjake “Most”. Në korrik lansohet faqja e internetit të RTK-së, rtklive.com. Seriali i parë vendor i pasluftës “Familja moderne” fillon emetimin në muajin tetor. Ndërkohë po këtë vit RTK ndanë dy çmime vjetore, në nëntor ndahet çmimi “Drita Gërmizaj” për folësen më të mire televizive, ndërsa në dhjetor ndahet çmimi “Rudolf Sopi” për xhiruesin më të mirë televiziv.

2003

Fillimi i vitit për RTK-në shënon lidhjen e Marrëveshjes së bashkëpunimit me EBU-në. Në shkurt- përkatësisht mars RTK lanson fushatën për parapagim “Res Publica” . Po në mars fillonë nga puna programi arsimor. Në maj në kuadër të pasurimit të programit informativ fillon edicioni i lajmeve “Info”. Në fund të majit, fillim të qershorit qendra për studime humanistike “Gani Bobi”, bënë një hulumtim të opinionit në bazë të të cilit rezulton se RTK është televizioni më i shikuar dhe më i besueshëm në Kosovë. Në qershor, PSSP Mihael Shtajner nënshkruan urdhëresën administrative të UNMIK-ut mbi implemetimin e parapagimit për RTK-në. Po në këtë muaj edhe një ngjarje tjetër e rëndësishme. RTK bëhet me “Big Band”. Auditimi për përmbylljen e vitit 2002 nga kompania “Deloitte & Touche” kryhet më 27 qershor. Në shtator RTK-së i shtohet edhe një gjuhë e emetimit, magazine javore në gjuhën rome” Yekhipe”. Më 15 nëntor RTK hap korrespondenturën e rregullt në Tetovë. Më 22 dhjetor RTK starton me skemën e re programore 24 orëshe.

2004

Viti 2004 ka qenë vit i rëndësishëm për Radiotelevizionin e Kosovës, në aspektin e të arriturave të mëtejmë programore dhe zhvillimore, duke u ballafaquar me sfida të mëdha, por duke ruajtur prestigjin, besueshmërinë, shikueshmërinë e Televizionit dhe dëgjueshmërinë e Radiove. Viti 2004 ka qenë një vit zhvillimesh të rëndësishme për shoqërinë kosovare, që kanë vënë në sprovë demokracinë në ndërtim, por edhe mediat kosovare dhe Transmetuesin Publik. RTK-ja ka kaluar me sukses edhe këto sfida, ndonëse (si në rastin e ngjarjeve të njohura të marsit) jo tërësisht pa vështirësi dhe lëshime të caktuara profesionale. Mbulimi i ngjarjeve të marsit ka qenë sfida më e rëndë programore e RTK-së gjatë vitit 2004. RTK mbetet e përkushtuar për trajnime të vazhdueshme të stafit, me qëllim të ngritjes së nivelit profesional dhe për kultivimin një gazetarie të paanshme, të pavarur dhe të përgjegjshme. Projekti më i rëndësishëm dhe më i suksesshëm programor i vitit, pa dyshim ka qenë mbulimi i zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë. Përkundër rrethanave delikate në shoqërinë kosovare, mungesës së përkrahjes sinjifikante financiare dhe stafit të ri, pa asnjë ngurrim mund të thuhet se projekti Zgjedhjet 2004 u realizua me sukses të shkëlqyer. Dy projekte të reja edhe në gjuhët e komuniteteve etnike “Ulica Sezam” dhe “Magazina e fëmijëve të Ballkanit” kanë qenë hapa të rëndësishëm dhe konkretë të RTK-së në drejtim të përmbushjes së obligimeve të një transmetuesi publik kundruall komuniteteve etnikë që jetojnë në Kosovë. Në këtë kuadër, duhet përmendur edhe përgatitjet për zgjerimin e programit në gjuhën rome nga 20 në 30 minuta në javë. Ndërkaq, nga fillimi i gushtit 2004, Televizioni i Kosovës ka filluar edhe transmetimin e përditshëm të lajmeve të RTK-Radio Kosova 2 në gjuhën serbe. Po ashtu, janë bërë të gjitha përgatitjet që, në fillim të vitit 2005, RTK-ja të themelojë korin multietnik të fëmijëve, si dhe të startojë me edicionin e rregullt të lajmeve për shurdhmemecë. Kontrata EBU-RTK, e vazhduar në dhjetor 2004, mbetet e një rëndësie të veçantë për RTKnë, sepse mundëson qasje në programe cilësore me kushte të volitshme, si dhe ofron përkrahje ligjore, teknike dhe trajnime jashtëzakonisht të rëndësishme për ngritjen e mëtutjeshme profesionale të stafit të RTK-së. RTK-ja edhe gjatë vitit 2004 ka bërë depërtime të rëndësishme në mesin e auditorit kosovar, me një shikueshmëri dhe dëgjueshmëri të lartë, rezultat i së cilës ka qenë ruajtja e pozicionit prijës në mesin e mediave elektronike dhe në hapësirën mediale përgjithësisht në Kosovë. Synimet kryesore të RTK-së për vitin 2004 janë arritur, si ruajtja e pavarësisë editoriale të RTK-së, mbajtja e politikës së paanshme redaktuese, arritjet në planin e zhvillimit cilësor të programit me përmbajtje tipike për një transmetues publik, të natyrës informative, edukative dhe argëtuese.

2005

Viti 2005 veçohet edhe për nga përpjekjet e organizuara dhe intensive për reformën e shërbimit të lajmeve të RTK-së dhe avancimin e standardeve profesionale dhe etike të të gjitha segmenteve programore të kompanisë. Si një prej përpjekjeve më të rëndësishme struktuale për të përforcuar vlerat profesionale, ne e konsiderojmë përpilimin e dokumentit “Standardet Profesionale dhe Parimet Etike të Gazetarisë në RTK”, të aprovuar nga Bordi i RTK-së në fund të Janarit. Ky dokument është një doracak preciz i parimeve bazë të gazetarisë dhe etikës, mbështetur në dokumente të ngjashme të përpiluara nga transmetuesit më të respektuar publik europian. Në këtë vit me përkrahjen e OSBE-së filloi edhe një punë e gjatë, komplekse dhe voluminoze për reformimin e përgjithshëm ligjor dhe organizativ të RTK-së, të mbështetur në përvojat më të mira dhe standardet e Unionit Evropian të Transmetuesve (EBU). Me lansimin e edicionit të lajmeve për njerëzit me të meta në të dëgjuar, projekt ky i cili u realizua me përkrahjen e OSBE-së, u shënua edhe një hap konkret drejt përmbushjes së rolit të RTK-së si shërbim publik transmetues për të gjithë qytetarët e Kosovës. Pas pothuajse 6 muajsh përgatitjesh intensive Televizioni i Kosovës, në tetor, me sukses të plotë ka startuar me një edicion tërësisht të reformuar të Lajmeve qëndrore, si dhe me dy edicione të reja të lajmeve në orën 15:00 dhe në mesnatë. Është me rëndësi të përmendet edhe angazhimi i korrespodentëve të RTK-së nga Beogradi (shqiptar dhe serb) dhe Washingtoni. Një depërtim i theksuar, i Programit Informativ të Televizionit të Kosovës, është arritur në emisionet debatuese. Në këtë kontekst duhet gjithësesi përmendur ciklin e debateve Ndëretnike (më gjërësisht për këtë te Programet e komuniteteve etnike), ciklin “Jeta në Kosovë”, pastaj ciklin e debateve lidhur me çështjet pronësore i organizuar në bashkëpunim me OSBE-në, cikli i debateve për mbrojtjen e ambientit, debate qe kanë të bëjnë me çështjet e integrimeve evropiane, ndërkaq një depërtim i rëndësishëm është bërë edhe në debatet politike sidomos në pjesën e dytë të vitit, pas angazhimit të kryeredaktorit të Programit Informativ. Edicioni i ri i Lajmeve “Nëpër Kosovë” filloi te transmetohet në gjysmën e dytë të Prillit, më 25/04/05 dhe planifikohet të jetë afatgjatë. Zëri i Amerikës (VOA) në gjuhën serbe: Në Korrik 2005 RTK-ja poashtu ka filluar me ritransmetimin e rregullt të edicionit të Zërit të Amerikës në gjuhën serbe. Kori multietnik i Fëmijëve “Zogjtë këndojnë”: Në fillim të vitit 2005 RTK-ja ka themeluar korin multietnik të fëmijëve, të parin e llojit në Kosovë, i cili merr pjesë në prodhimin e emisioneve muzikore për fëmijë me program në të gjitha gjuhët e komuniteteve dhe i cili dirigjohet nga në dirigjent shqiptar dhe një serb. Kori përbëhet nga nxënësit shqiptarë dhe serbë të rajonit të Gjilanit. Poashtu në Prill të 2005-tës krahas projekteve të veta multietnike (Dialogu për të ardhmën, Nëpër Kosovë), RTK-ja ka filluar edhe me transmetimin e një projekti të shkëlqyeshëm holandez, “Videoletters”, i cili fokusohet në luftën dhe pasojat e saj përgjatë tërë territorit të ish-Jugosllavisë. Për herë të parë, RTK-ja ka realizuar intervistën vjetore me Kryetaren e Bordit të RTK-së në fund të vitit 2005, në interaksion me publikun, i cili ka qenë I ftuar për pjesëmarrje aktive përmes pyetjeve të shumta të postuara në internet. Gjatë vitit 2005 edhe nëpër segmente të tjera programore janë bërë hapa të rëndësishëm për interaksion me publikun përmes e-mailave dhe sms-ave nga shikuesit, të cilët janë inkorporuar rregullisht në përmbajtjet e emisioneve.

2006

Programi informativ gjatë tërë vitit 2006 është përqendruar në rrjedhën e procesit negociator për përcaktimin e statusit të Kosovës. Me vazhdimin e raundeve të negociatave në Vjenë, RTK-ja ka bërë përpjekje maksimale që audiencën kosovare ta mbajë sa më mirë të informuar me çështjet e diskutuara. Për këtë arsye, resurset në dispozicion janë fokusuar në edicionet informative – raporte telefonike nga ngjarjet për edicionet e ditës, si dhe në paraqitje të drejtpërdrejta për edicionin kryesor të lajmeve, Lajme Qendrore. Paralelisht me informatat në edicionet e rregullta informative, programet e aktualiteteve kanë shërbyer si mbështetje për procesin negociator me diskutimin e çështjeve që janë shtjelluar në negociata, por edhe me ndikimin e tyre për zhvillimet në vetë Kosovën. Angazhimi më i madh në përcjelljen e procesit negociator është shprehur në paraqitjet e drejtpërdrejta nga qendra të ndryshe botërore. Gjatë vitit 2006 RTK ka pasur më se 40 paraqitje LIVE nga e tërë bota. Më së shpeshti, natyrisht, RTK-ja ka bërë paraqitje nga kryeqyteti austriak, ku janë zhvilluar negociatat duke dërguar ekipe të plota për pothuajse çdo takim të mbajtur. Këtu duhet përmendur edhe sigurimin e paraqitjeve të drejtpërdrejta në ditën e takimit të përfaqësuesve të lartë kur RTK-ja brenda një dite ka intervistuar të gjithë anëtarët e Ekipit të Unitetit në edicione të ndara, duke filluar nga Programi i Mëngjesit e deri te edicioni informative BLIC në 23.00. Në përkrahje të këtyre paraqitjeve duhet përfshirë edhe transmetimet e rregullta të drejtpërdrejta të seancave të KS të OKB-së dhe raportimeve të shefit të UNMIK-ut si dhe Kryetarit të Kosovës dhe Kryeministrit pranë anëtarëve të rregullt të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Por, përkushtimi më i veçantë i programit informativ është treguar me rastin e vdekjes së Kryetarit Ibrahim Rugova. RTK-ja është mediumi kosovar që e ka dhënë i pari lajmin për vdekjen e tij, është cituar gjerë e gjatë nga mediumet botërore, duke përfshirë edhe agjencinë e lajmeve Reuters. Ditët në vijim kanë gjetur RTK-në të përgatitur për ngjarjet në tërësi sikur nga aspekti i zhvillimeve aktuale pas vdekjes së Kryetarit Rugova, ashtu edhe nga aspekti i retrospektivës së veprimtarisë dhe jetës së tij. Mu në ditën e vdekjes së tij RTK ka emetuar programin 25 minutash biografik kushtuar jetës dhe veprës së kryetarit Rugova. Programet debatuese gjatë këtij viti kanë shënuar ngritje në nivelin e qasjes ndaj temave të ndryshme me rëndësi për shoqërinë kosovare. Debati “Jeta në Kosovë” është zhvilluar në një prej terminëve më të rëndësishme për shtjellimin e temave politike dhe sociale me qëndrime të ndryshme dhe qasje të hapur dhe robuste ndaj bashkëbiseduesve. Gjithashtu termini “Pro et Contra” ka lëvizur në emision me guxim të shtuar në ballafaqimin e zyrtarëve kosovarë me angazhimin dhe mënyrën e udhëheqjes së tyre me institucionet vendore, sikurse dhe polemikat mes pozitës dhe opozitës ne sfera te ndryshme shoqërore nga shëndetësia e deri te ekonomia e arsimi. Në këtë kuadër RTK-ja ka qenë e suksesshme në emisionet që kanë avancuar dialogun ndëretnik, si në emisionin në bashkëpunim me BBC-në (Auditoriumi) dhe me cikle të tjera debatuese. Duke filluar nga shtatori 2006, RTK-ja ka filluar transmetimin edhe të programeve të komuniteteve etnike të rrjetin satelitor. Ngjarjet ndërkombëtare kanë qenë: Lojërat olimpike dimërore-2006, Kampionati botëror Gjermania 2006, Kampionati i futbollit Anglez, Liga e kampionëve, ndeshjet e kombëtares se Shqipërisë dhe meçet e boksit të Luan Krasniqit. Përveç transmetimeve nga këto ngjarje ndërkombëtare,janë përgatitur edhe emisionet speciale (Pasqyra e Ligës Angleze, Magazina e Ligës së Kampionëve).