
Pak minuta na ndajnë nga edicioni i parë i Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës.
Festa muzikore nis në ekranet televizive duke filluar nga ora 20:20. Shikuesit i pret një program nga tapeti i kuq, e cila do të shfaqë pritjen e mysafirëve mbi platonë e Pallatit të Rinisë.
Festivali me programin e vet nis zyrtarisht duke filluar nga ora 21:00.
“Të gjithë jemi pak të emocionuar për faktin se si do të dalë, si do të kurorëzohet gjithë ajo çfarë kemi bërë”, ka thënë Flora Durmishi nga RTK, pak momente nga ceremonia e nisjes së festivalit.
Drejtori artistik, Florent Boshnjaku ka bërë thirrje për ndjekje të festivalit, duke e cilësuar si festë për vendin tonë.
“I ftoj të gjithë ta shikojnë festivalin, është festë jo veç për artistët që marrin pjesë por për vendin tonë sepse po e rifillojmë një traditë, e cila për fat të keq është shkëputur. Jam i lumtur që po e rifillojmë në Radiotelevizionin e Kosovës”, ka thënë Boshnjaku në një paraqitje në Lajmet e orës 19:30.