Kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini, ka thënë se rrugëtimi i themelimit të Festivalit të Këngës ka pasur sfida të shumta. Vështirësia më e madhe sipas tij ka qenë përzgjedhja e sallës.

“Ka pasur shumë sfida sepse është hera e parë dhe është dashur të krijohet një bazament i tërë nga rregullativa ligjore e deri te aspektet operative. Çdo ditë jemi marrë me punët e festivalit bashkë me Adin, Shkumbinin e stafin tjetër. Është punuar me muaj të tërë”, ka thënë Boletini.

Ai tutje ka treguar për skepticizmin të cilën e kanë pasur në fillim kur e kanë parë gjendjen e sallës së djegur dhe të neglizhuar ndër vite.

“Dilema kryesore ka qenë salla. Donim që festivalin ta mbajmë në Prishtinë, në qendër, që qyteti ta ndjejë festën. Ka pasur disa opsione për të dalë në periferi, por unë kam qenë parimisht kundër, pasi e kemi pasur opsionin e sallës së djegur. Kur e kemi vizituar për herë të parë, përshtypja e parë ka qenë goxha pesimiste, por kemi qenë shumë këmbëlngulës që do të bëhet”, ka thënë ai.