Salla e Pallatit të Rinisë, e cila iu rikthye jetës kulturore të kryeqytetit nëpërmjet Festivalit të Këngës në RTK është gati për natën spektakolare të finales së edicionit të parë.

Sonte nga kjo hapësirë do të ridëgjohen 10 këngët pretendente për çmimin e parë të ngjarjes, e cila po cilësohet si historike, ngase pas më shumë se tri dekadash Kosova e ka sërish një festival të tillë.

Gazetarja e RTK-së, Mediana Rrahmani, ka treguar për atmosferën një orë para nisjes së programit qendror të natës finale.

“Gjithçka është gati dhe vetëm pas pak minutash do të nisë nata finale, në të cilën do të performojnë ata të cilët morën biletën për në finale, 10 artistët të cilët u vlerësuan si më të mirët për dy netë. Ata do të performojnë me qëllim të kapin fitoren dhe të hyjnë në histori si fituesit e edicionit të parë të Festivalit të Këngës”, ka thënë Rrahmani në një lidhje të drejtpërdrejt.

Ajo tutje ka bërë të ditur se për natën finale të festivalit është konfirmuar edhe pjesëmarrja e kryeministrit Albin Kurti. “Kryeministri do të jetë i shoqëruar me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe deputetë të tjerë. Nuk do të mungojnë edhe artistë të njohur si Vera Grabockës, Bojken Lakos dhe shumë artistëve të tjerë të cilët do ta begatojnë akoma më shumë këtë natë finale”, ka thënë Rrahmani.

Transmetimi televiziv do të nisë si zakonisht nga tapeti i kuq mbi platonë e Pallatit të Rinisë, pas orës 20:00. Ndërkaq, në orën 21:00 hapet skena gjigante e Festivalit të Këngës për të sjellë mbrëmjen finale të spektaklit që shënoi histori për industrinë kulturore të vendit.