Tension, përplasje, emocione, muzikë e rrugëtim jo i lehtë. Kjo është pak a shumë krejt çka e ka karakterizuar gjithë ecurinë e përgatitjes së edicionit të parë të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës, e cila u përmblodh në dokumentarin “Burnt to Flourish”, që u transmetua sonte në RTK.

Përtej pjesës muzikore, dokumentari solli kujtesën kolektive për Sallën e Madhe të Pallatit të Rinisë, ku është mbajtur “Fest 1”, duke pasqyruar historinë kulturore, që ka ngërthyer kjo hapësirë. Transformimi është i dukshëm në pamjet e dokumentarit, gjithçka bëhet nga pluhuri e hiri.

“Si ide kishte qarkulluar me vite, ishte sa nostalgji nga e kaluara që u ndërpre dhunshëm në mesin e viteve të 90’ta të shekullit të kaluar, aq edhe dëshirë e vullnet për ta kthyer jo vetëm kuptimin e një trashëgimie që duhet ruajtur tutje, por edhe  me një emocion shtetëror që kërkonte promovim tutje të Kosovës përmes skenës së Eurovisionit”, ka thënë ministri Hajrulla Çeku gjatë këtij dokumentari.

Në anën tjetër, drejtori i Festivalit, Adi Krasta, tregoi për dimensionet e rrugës së lindjes së këtij festivali, të cilat si tërësi ai i paketon nën emërtimin “festë”.

“Gjithmonë e kemi ditur festivalin si një festë në zemër të kryeqytetit, gjithnjë e kemi ditur se do të duhej të jetë një festë e të rinjve”, thotë ndër të tjera Krasta.

Në sekuenca të ndryshme gjatë këtij dokumentari u shfaqen edhe përplasje e polemika. Një nga to qëndron te skenografia. Shqipe Kamberi e Rudina Xhaferri rrëfyen për sfidat nëpër të cilat kishte kaluar imazhi i edicionit të parë.

Fituesi i edicionit të parë, Arbër Salihu, i njohur me nofkën artistike “La Fazani” tregoi se triumfi i tij nuk ka ardhur nga një rrugëtim i lehtë. Gjatë procesit ai kishte kërkuar tërheqjen nga gara, të cilën ia kishte kumtuar drejtorit artistik, Florent Boshnjaku. Por, dokumentari dëshmon se historia kishte marrë tjetër formë.

“Është një nga ‘highlight’ të jetës sime”, thotë Salihu në përmbyllje të dokumentarit.

Ndërkaq sivjet edicioni i dytë i Festivalit të Këngës do të mbahet në datat 24, 25 dhe 26 tetor.  E në anën tjetër, nga e hëna (21 tetor) e deri të premten (25 tetor), transmetuesi publik ka përgatitur maratonë dinamike televizive “RTK Fest”, nga ora 17:20 deri më 19:00.