(Plotësuar, 23:10) Ka përfunduar nata e parë e edicionit të dytë të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës. Festivalin e kanë prezantuar Genc Salihu dhe Drita Kabashi, derisa krahas 16 këngëve konkurrente këtë mbrëmje me prezencën e tyre në skenë e kanë madhështuar Ylli Limani, Elita 5 dhe Aurela Gaçe.

Trofeu fitues i këtij edicioni është ‘Diamanti Blu’, që është një simbolik për Kosovën, flamurin dhe kaltërsinë e saj. Ndërkohë, juria e festivalit përbëhet nga Minire Fetahu, kryetare e jurisë, Jane Sugarman, Ardiana Pajaziti, Valbona Selimllari dhe Blerta Zeqiri.

Para fillimit të festivalit nga Festim Kabashi dhe Fëllënza Çitaku janë lexuar poezi të Gjergj Fishtës, Faik Konicës, Fan Nolit, Atë Zef Pllumit dhe Ukshin Hotit, e të cilat i përgjigjen edhe periudhës së sotme dhe thërrasin për unitet kombëtar.

Në festival kanë performuar 16 artistë, duke nisur me Dea Stricën me këngën “N’Shqipni”, për të vazhduar me Greta Azizi me “Veres”, Agim Poshka me “Ndarja erdhi”, Jehona Lumi me “Shko”, Inorga me “Seks mashina nga Prishtina”, Rei Bezhani me “Zonjë tradhti”, Ardita Begu me “Fundosu në dritë”, Besmir Shishko me “Unë Ajo”, Blendi Kaso me “Një të vetme ka në jetë”, Endrit Krasniqi me “Flasë me gjethen”, Ardit Stafaj “Faji”, Santino De Bartola me “Unë jam Arbëresh”, Arnite Kastrati me “Blla blla”, Vlona Boshnjaku me “Lotët”, Luna Qausholli me “Dielli të më shoh” dhe Bruna Sata me këngën “Ti je i pashpirtë”.

Secila prej këngëve pati veçoritë e saj dhe tek publiku solli emocion, derisa juria profesionale edhe gjatë dy netëve tjera do të ketë mundësi t’i dëgjojë performancat e këngëtarëve pjesëmarrës për të dhë vlerësimin sa më real në fund të festivalit.

Në skenë u ngjit edhe fituesi i edicionit të kaluar La Fazani me këngën “Oj Kosovë”, derisa një interpretim të shkëlqyeshëm e pati prezantuesja e festivalit, aktorja Drita Kabashi, e cila këndoi këngën “Mallëngjimi” të kënduar dikur nga Muharrem Qena.

Transmetimi i drejtpërdrejt në RTK filloi qysh në orën 20:10 me pritjen e të ftuarve në tepihun e kuq të Pallatit të Rinisë, ndërsa festivali u hap në ora 21:00.

Fituesi i edicionit të parë, Arbër Salihu (La Fazani) para fillimit të edicionit të dytë u shpreh se është ndjenjë e mirë të kthehet në këtë event, por tani si spektator.

“Është sukses i jashtëzakonshëm që kemi arritur ta bëjmë këtë festival dhe po më bëhet zemra mal që po ka vazhdimësi. Shpresoj që do të shkojë duke u bërë mirë e më mirë  çdo vit. Definitivisht është ndjenjë fantastike të jesh pjesë e këtij festivali. Për mua ka qenë një gjë shumë e bukur që më ka ndodhur në karrierën time. Vitin e kaluar krejt java e festivalit është që s’do ta harroj. Përmes këtij festivali kam njoftuar shumë njerëz që më kanë shërbyer gjatë tërë vitit për bashkëpunime të ndryshme. Skena është shumë e mirë dhe të performosh në një këso skene madhështore gjithsesi që ka qenë kënaqësi e madhe”, ka theksuar Salihu.

Ndërkaq, kryetarja e Bordit të RTK-së, Albulena Mehmeti gjatë parakalimit në tapetin e kuq ndau disa momente për teleshikuesit e RTK-së. Ajo tha se ndjen kënaqësi që është pjesë e këtij festivali. “Jam shumë e lumtur që kam qenë pjesë e Bordit të RTK-së në kohën kur është konkretizuar ideja për themelimin e Festivalit të Këngës. Bordi ka luajtur një rol thelbësor dhe vendimmarrës për organizimin dhe themelimin e këtij festivali, duke aprovuar rregulloren e tij dhe pastaj me sukses duke negociuar për memorandumin me MKRS-në”, ka theksuar ajo.

Mehmeti ka falënderuar ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku që ndau buxhetin për realizimin e këtij festivali, derisa lavdëroi punën e stafit në organizimin e edicionit të dytë.

“Si kryetare e Bordit kam pasur kënaqësinë që të shoh nga afër punimet e organizimit të këtij festivalit dhe jam e impresionuar me punën e stafit të RTK-së dhe bashkëpunëtorëve nën udhëheqjen e drejtorit Adi Krasta”, shtoi ajo.

Festivali i Këngës u transmetua drejtpërdrejt në RTK 1, RTK 2, Radio Kosova dhe në platformat digjitale të transmetuesit publik, duke ofruar mundësi të gjerë për ndjekjen e këtij eventi nga të gjithë.

Nata e dytë mbahet të premten në orën 21:00, derisa nata finale të shtunën në të njëjtën kohë.