
Alban Skënderaj nuk është surpriza e vetme skenike në natën finale të edicionit të dytë të Festivalit të Këngës. Radiotelevizioni i Kosovës ka sjellë edhe emra të tjerë të cilët do të elektrizojnë skenën e ngjarjes.
Njëri nga ta është violinisti shqiptar me famë botërore, Olen Cesari. Në anën tjetër, premierë të veprës së tij do të ketë këngëtari nga SHBA-të, Albert Stanaj. Producentja ekzekutive e festivalit, Arta Avdiu, dha detajet e mbrëmjes pak çaste para nisjes së natës finale.
“Sonte kjo natë ka rëndësi të veçantë, jo vetëm për nga pesha e ndarjes së shpërblimeve, por edhe për nga pesha e performancave të shumta. Përveç Alban Skënderajt, do ta kemi Albert Stanaj, i cili vjen nga një familje shqiptare në Mal të Zi, e shpërngulur në Amerikë. Sot gjatë provave gjenerale kuptova se këngën e tij premierë ka vendosur ta bëjë pikërisht në skenën e edicionit të dytë të Festivalit të Këngës”, ka thënë ajo në një intervistë.
Avdiu ka paralajmëruar edhe vepra nën autorësinë e sopranos me famë botërore, Maria Callas.
“Përderisa jemi në vazhdën e shfaqjes së filmit për jetën e Maria Callas, sonte do ta kemi një pjesë nga ajo që do ta performojnë pikërisht në këtë skenë madhështore. Është pjesë e shkëputur nga veprat e shumta të saj, që do ta prezantojë njëra nga sopranot e njohura kosovare”, ka thënë ajo.
Avdiu ka thënë se ky festival është organizim për gjithë Kosovën. Sipas saj kjo dëshmohet në faktin e organizimit në qendër të kryeqytetit, në Pallatin e Rinisë.
“Jemi për realizimin e festivalit ashtu siç realizohet në vendet ku janë pjesë e Eurovisionit. Edhe ne jemi të gatshëm, po e tregojmë në forma të ndryshme, teknike, organizative, të përmbajtjes së këngëve, kështu që vetëm e presim një ‘po’ nga ata”, vazhdoi Avdiu.