Anëtaret e jurisë të edicionit të dytë të Festivalit të Këngës kanë diskutuar në “Post Festival” rrugëtimin dhe vlerësimet që kanë çuar deri te vendimi final për tri çmimet e para.

Kryetarja e jurisë, Minire Fetahu, njëherësh redaktore e muzikës në RTK, ka folur për diskutimet deri në përzgjedhjen e fituesit. Ajo ka çmuar faktin që juria është përbërë nga pesë gra, të dëshmuara në fusha të ndryshme artistike.
“I kemi dëgjuar disa herë këngët për të mos gabuar. Gjithmonë njeriu nuk është i kënaqur me veten, thotë pse e bëra apo s’e bëra këtë. Por u pajtuam për këngën fituese dhe mendoj se prap ka qenë përgjegjësi e madhe”, ka thënë ajo.
Jane Sugarman, njohëse e muzikës ballkanike ka thënë se diskutimet kanë qenë për përmasa të ndryshme krijuese.
“Ka shumë dimensione në një këngë, dikush mendon për këngën, dikush për tekstin. Por si femra kemi menduar edhe për mesazhin e këngëve, të cilat ndikojnë në marrëdhëniet e gjeneratës sonë”, ka thënë Sugarman.

Regjisorja Blerta Zeqiri i ka cilësuar vendimet e jurisë si lloj “pasaporte” për karrierën e artistëve.
“Ka qenë jashtëzakonisht shumë e vështirë, por besoj që i kemi marrë të vendimet e duhura. Sot kam takuar shumë njerëz të fushës dhe që e kanë përcjellë festivalin që ma kanë konfirmuar këtë, e kjo më bën të ndjehem mirë sepse mund të them që kemi marrë vendimet e duhura”, ka thënë ajo.

Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e gazetës online KultPlus, ka përmendur vlerësimet e disa profesionistëve muzikor në rrjete sociale, të cilët kanë mirëpritur vendimin e jurisë.
“Është angazhim, stres, ke shije të ndryshme muzikore, është televizioni publik, audienca, e kur gërshetohen krejt këto e ke ngarkesën se si do të pritet ajo përzgjedhja që do ta marrësh. Mua çka më gëzoj pas shpalljes së tri vendeve të para, tri këngëtare të reja më kanë përqafuar dhe më kanë thënë ‘ju na e dëshmuat që i kemi dyert e hapura në këtë festival për edicionet e radhës”, ka thënë ajo.

Valbona Selimllari, anëtarja e jurisë, e cila është missi i parë shqiptar, ka thënë se nuk e ka pritur këtë nivel të organizimit.
“Nuk e di nëse Prishtina e kupton që ky është event i nivelit shumë të lartë. Së paku unë çka përjetova, ishte një super spektakël, i organizuar në mënyrë perfekte. Më lind natyrshëm të them ‘bravo ju qoftë”, ka thënë ajo.