
Në prag të edicionit të tretë të Festivalit të Këngës në RTK, skenaristi i këtij edicioni, Genc Salihu, e sheh këtë ngjarje si përpjekje për t’i dhënë muzikës vendin që e meriton në skenën kulturore të Kosovës.
Në një intervistë për programin e mëngjesit në RTK, ai theksoi se festivali synon të krijojë një hapësirë ku kënga dhe artistët të jenë në qendër të vëmendjes, duke i dhënë publikut një përvojë që, siç thotë ai, vendi nuk e ka pasur më parë. Për Salihun, festivali është jo vetëm garë muzikore, por edhe shou televiziv, spektakël artistik dhe rikthim i një tradite që për shumë vite kishte munguar pas “Akordeve të Kosovës”.
“Duhet me thënë se më e rëndësishmja e këtij festivali, që duhet ta kenë parasysh edhe regjisori, edhe konceptuesi, drejtori artistik, është se ky festival është pikë së pari për këngën; të krijohet hapësira që garuesit të dalin komodë dhe të ndihen komodë dhe publiku ta ketë vëmendjen te ata, pra që ata të jenë fokusi kryesor”, theksoi Salihu.
Ai shtoi se çdo edicion ka estetikën dhe mesazhin e vet, të kuruar nga ekipi realizues.
“Këtë vit e kemi një temë që për mua është shumë e qëlluar, shumë personale dhe shumë afër zemrës. Ideja është që të krijojmë ura me të kaluarën tonë që sot ndoshta edhe e kemi harruar pak dhe ta japim këtë mesazh në formë artistike që është pjesë e këtij vendi që e quajmë Kosovë, ky vend ku sot jetojmë dhe punojmë”, shtoi ai.
Në mënyrë të veçantë, Salihu përmendi edhe mungesën e festivaleve të ngjashme ndër vite: “I kemi pasur Akordet e Kosovës, të cilat kanë qenë ngjarja qendrore kryesore për një kohë shumë të gjatë. Dhe kur kemi filluar jetën si një vend funksional, unë gjithmonë kam qenë shumë i mërzitur pse nuk po i kthejmë Akordet. Ka pasur festivale, por nuk e kanë plotësuar atë kriter”, nënvizoi ai.
Për mënyrën se si do të vijnë në skenë Akordet dhe “Kosova jonë e vjetër”, Salihu zgjodhi të mos zbulojë shumë: “Nuk do të doja të zbuloja shumë, por jam shumë i lumtur që po bashkëpunoj me kompozitorin Florent Boshnjaku, i cili e ka edicionin e tretë që po punon për këtë festival. Ai është një profesionist i hatashëm dhe çdo projekt që e merr, e qet në dritë në mënyrën më të mirë të mundshme, dhe për këtë jam shumë rehat dhe besoj që do ta nxjerrim një festival shumë të mirë”, tha tutje Salihu.
Ai sqaroi se festivali ndjek një format të ngjashëm me festivalet mesdhetare: “Festivale të tilla ka Kroacia, ka Italia e të tjerët. Ky është një format regjional i një pjesë të Evropës, kështu që secili nga këto festivale i ngjan njëri-tjetrit, në kuptimin që e ki një grumbull këngësh që konkurrojnë dhe dikush do të fitojë. Bëhet në mënyrë solemne, me një skenë të madhe, me moderatorë dhe orkestër. Kështu që, në atë aspekt, natyrisht që ti je i ngjashëm, pra e plotëson një format që e plotësojnë edhe disa festivale të tjera, siç është në krye të listës Sanremo, që është kapedani i këtij formati”, tha Salihu.
Por, sipas tij, elementi lokal është thelbësor: “Bukuria e këtij formati është që ta lejon ta ‘krypëzosh’ me shijen lokale, të cilën ne po mundohemi që ta thellojmë, që t’ia japim një shije më shumë vendore festivalit tonë”.
Ai shtoi se publiku në Kosovë do të përjetojë diçka të re: “Publiku do të përjetojë diçka që në Kosovë nuk është përjetuar kurrë, që është për një vend më të zhvilluar diçka e përditshme: të veshësh, të parfumohesh dhe të shkosh në një sallë dhe ta shohësh një shfaqje shumë të mirë, të një niveli të lartë artistik, gjë që nuk e kemi pasur”, tha Salihu, i cili vitin e kaluar ishte edhe moderator i festivalit.
Ai përmendi emocionet që e kanë shoqëruar në edicionin e kaluar: “Kam qenë aty çdo minutë të tri netëve të festivalit dhe më kapte një melankoli nga gëzimi që e ndjeja që po mundemi ta përjetojmë diçka të tillë”. Ai në fund tha se festivali është mbi të gjitha një shou televiziv: “Ky, pikë së pari, është një shou televiziv, pra edhe shikuesi brenda në sallë është për shikuesin televiziv. Pra, publiku vjen ta shohë se qysh bëhet një shou për televizion dhe aty është kënaqësia e publikut sepse ai e sheh çfarë ndodh gjatë marketingut, kur drita e kuqe është ndal, i sheh edhe gabimet kur ndodhin dhe gjithçka tjetër”.
Një element unik i festivalit, sipas tij, është performanca live: “Gjithçka është ‘live’, pra këndohet dhe luhet gjithçka aty. Për këtë e kemi tejkaluar testin dhe s’ka pse të ndodhë ndryshe. Edicioni i parë ka qenë test, i dyti ka qenë super mirë, tash i treti vazhdojmë tutje”, përfundoi Genc Salihu.