Begolli Pustina: Festivali i Këngës në RTK, superfestival dhe me befasi

K. K. / RTKlive

Së shpejti nis edicioni i tretë i Festivalit të Këngës në RTK. Gentiana Begolli Pustina, koordinatore e festivalit, tha se dy edicionet e kaluara kanë qenë shumë të suksesshme dhe janë mirëpritur jashtëzakonisht mirë nga publiku. Për këtë vit, numri i konkurentëve është dyfishuar, duke arritur në 40 persona, nga të cilët tashmë janë përzgjedhur 20 artistë që do të garojnë. Kjo rritje e interesimit përbën një sfidë dhe përgjegjësi të madhe për organizatorët.

 

Në një intervistë për emisionin “Pasdite” në RTK, Begolli Pustina u shpreh se është shumë e bindur se ky do të jetë një “superfestival”, duke përmendur një thënie popullore: “E treta e vërteta”.

Kjo, sipas saj, i obligon ata të jenë edhe më të përkushtuar dhe të arrijnë rezultate më të mira se dy edicionet e mëparshme. “Besoj se do të dalim faqebardhë, pasi po punojmë intensivisht çdo ditë e më shumë”, shtoi ajo.

Begolli Pustina e cilësoi Festivalin e Këngës si ngjarjen më të madhe kulturore të shtetit tonë.

Duke folur për emocionet e artistëve para performancës, ajo theksoi se vetëm mendimi për t’u ngjitur në skenë është i rrëqethshëm.

Për më tepër, fakti që mes konkurentëve ka këngëtarë të dëshmuar dhe shumë të pëlqyer nga publiku është dëshmi e vlerës së madhe që ka ky festival.