Skenografia e ‘FEST 3’, Kraja thotë se frymëzimi lindi nga xhubleta

Motive shqiptare të gërshetuara me elemente moderne do të kompletojnë pamjen magjike të skenografisë. Mjeshtëria e Vesa Krajës ka filluar të ‘shkrihet’ në imazhin e edicionit të tretë të Festivalit të Këngës në RTK.

 

Për një prej dimensioneve të rëndësishme të ngjarjes premtohet madhështi. Sivjet ka ndryshime jo veç në konceptin pamor, por edhe në përfshirjen fizike të Orkestrës në qendër. Instrumentistët sivjet nuk do të jenë më poshtë skenës kryesore, por të përfshirë drejtpërdrejtë në të.

“Unë si kostumografe i dua shumë veshjet tona shqiptare edhe duke punuar në të fillova valëzimet e veshjeve të xhubletës t’i marrë, aty ka filluar ideja e parë për skenografi. Është një pjesë që kur ta shihni do të kuptoni, unë kam dashur ta paraqes një pasuri tonën. Unë s’kam shkuar ta ngarkoj me shumë detaje por aty ka lindur ideja për skenografinë”, ka thënë autorja e skenës, Vesa Kraja në një intervistë për Radio Kosovën.

“Janë 36 metra skenografi bashkë me të gjitha elementet. Edhe për neve skenografet është festë sepse kemi mundësi të krijojmë gjithçka të bukur”, ka thënë ajo.

Kraja ka shtuar se kanë krijuar skenografinë duke pasur parasysh mundësitë logjistike të ngjarjes.

“Unë kur e mendoj skenografinë nisem me çka kemi…kur ballafaqohemi me atë që s’e kemi në treg nisë problemi. Nëse kemi diçka të posaçme duhet të mendohet vitin tjetër si mund ta gjejmë. Kësaj radhe kemi shkuar me krejt çka kemi”, ka thënë ajo për materialet e punës si skenografe”, ka thënë skenografia.

Përgatitjet për Festivalin e Këngës janë në fazën finale. Një program maratonik televiziv i pret gjithë shikuesit e RTK-së përgjatë tri netëve të edicionit të tretë të ngjarjes. Ndërkaq edhe rezervimet e biletave për të përcjellë nga afër netët e spektaklit kanë nisur. 6, 7 dhe 8 nëntor janë datat e festës muzikore në Prishtinë. 20 artistë sivjet me zërat e tyre janë në garë për 5 çmimet e festivalit, teksa sivjet do të nderohet një artist për vepër jetësore me çmimin “Okarina e Artë”.