E pas trashigimisë së pasur të Akordeve të Kosovës, e cila u rikthye përmes një videoklipi, në skenë u ngjitën tre konkurruesit e tjerë të Festivalit të Këngës, që po ashtu sollën ritëm, zhanre të ndryshme dhe emocione të veçanta, si dhe u zbulua juria e festivalit.

Garën e vazhdoi Art Lokaj me këngën “Ty”, e cila u dirigjua nga Alfred Kaçinari dhe solli një interpretim të fuqishëm dhe të ndjerë në skenë. Kjo këngë, me tekst dhe muzikë të autorit të saj, Art Lokaj, solli një frymë të re dhe një energji të gjallë.

Pas kësaj, Kiara Juba prezantoi këngën “Nirvana”, një baladë e bukur me orkestrim të kujdesshëm dhe dirigjim nga Alfred Kaçinari. Teksti i Eriona Rushitit dhe muzika e Enis Mullajt sollën një melodi të këndshme dhe të harmonizuar, ndërsa performanca e Kiara Jubës la përshtypje te publiku.

“Kënga jonë” nga Egzon Pireci, një pop-baladë tipike me intro piano reflektoi stilin unik të kompozitorit Ilir Berani. Dirigjimi i orkestrës nga Memli Kelmendi dhe interpretimi i ngrohtë i Egzon Pirecit sollën atmosferë të shkëlqyeshme e melodike, duke e përforcuar diversitetin e zhanreve në këtë edicion.

E padyshim punën shumë të vështirë në këto tri net të festivalit do ta ketë juria. E pjesë e saj janë: Dren Abazi, një nga kantautorët më të suksesshem të skenës sonë, Eneda Tarifa, këngëtare me një karrierë të pasur dhe moderatore e njohur televizive, Jeta Dida Bujari, drejtoreshë e shkollës së mesme të muzikës ‘Prenk Jakova’ në Prishtinë, me një përvojë mbi 20 vjecare në fushën e edukimit muzikor, Rreze Kryeziu, muzikologe, profesoreshë universitare, drejtoreshë e përgjithshme e festivalit muzikor DAM dhe kryetare e Këshillit Inicues të Operas së Kosovës dhe kryetari i jurisë Xhevdet Gashi, një nga kompozitorët dhe producentët më të mirë të skenës sonë ndër dekada.