
Tapeti i kuq në prag të natës së dytë të edicionit të tretë të Festivalit të Këngës në RTK ka mbledhur emra të njohur të muzikës, artit dhe skenës sonë, të cilët ndanë emocionet dhe përjetimet e tyre për këtë ngjarje madhështore që tashmë po bëhet traditë e rëndësishme kulturore në vend.
Linda Abrashi, njëra nga figurat e para të Radiotelevizionit të Kosovës ndau emocionet e saj për zhvillimin e këtij festivali:
“Unë kam qenë në RTK prej që fillimeve të saja dhe në ato fillimet e vështira të këtij transmetuesi gjithmonë e kemi diskutuar me kolegët që e patëm filluar RTK-në, në mesin e tyre edhe me Rilind Gërvallën, se sa shumë do të donim ta kishim një festival të Radiotelevizionit dhe ta kishim përfaqësuesin në Eurovision. Jam shumë e lumtur që hapi i parë u bë dhe që festivali tashmë është që tri vite dhe jam shumë e lumtur që jam këtu. Shpresoj se shumë shpejt do ta kemi edhe përfaqësuesin e Kosovës në Eurovision, të cilin do ta prodhojë ky festival”, tha ajo.
Ndërsa kompozitori i njohur Ilir Berani, e kujtoi me nostalgji pjesëmarrjen e tij të parë në vitin 1985 në festivalin e tillë ‘Akordet e Kosovës’.
“Kënaqësia është e imja pasi pas shumë viteve në të njëjtën sallë, me të njëjtin synim, me të njëjtin motiv, në vitin 1985 për herë të parë unë me grupin ‘Trio Rona’ e kemi kënduar këngën e parë. Jam i emocionuar dhe i lumtur që festivali po e merr të mirën e të mbarën. Besoj të kalojnë mirë edhe publiku dhe performuesit dhe këngët të jenë të mira dhe të mbesin e të dëgjohen”, tha ai.
Pjesëmarrësi i këtij edicioni Florent Abrashi shprehu entuziazmin e tij për skenën e madhe dhe organizimin.
“Emocioni është fantastik, është shumë kënaqësi dhe interesante për mua sepse është hera e parë që po marrë pjesë. Skena është madhështore, më pëlqeu jashtëzakonisht shumë dhe nuk do të mund të shtoja asgjë në atë skenë, mbetet prej neve t’i përgjigjemi me perfeksion. Unë isha i kënaqur me performancën time”, u shpreh ai
Ndërkaq, muzikanti Denik Prizreni tha se ndonëse këtë vit nuk ishte në garë, synon të jetë pjesë e festivalit në edicionin e ardhshëm:
“Është hera e parë që marr pjesë në këtë festival, por ju premtoj se vitin tjetër do të garoj edhe unë, sepse një kohë isha shumë i angazhuar dhe nuk kisha kohë për ta përgatitur këngën e re. Një ndër eventet më të mëdha të muzikës në Kosovë dhe përgëzoj nga zemra për këtë organizim të mirë dhe ju uroj shumë suksese kolegëve të mi që do të performojnë sonte”, tha ai.
Ndërsa këngëtarja Arsi Bako ndau emocionet një ditë pas daljes në skenëne këtij festivali: “Jam liruar pak nga emocionet. Dje nuk e prita të kisha emocione, por edhe kënga është energjike dhe unë kisha pak emocione, por sot jam më e qetë dhe besoj edhe më e fokusuar”.
Për profesorin e muzikës Naser Dula, Festivali i Këngës në RTK përfaqëson një arritje të rëndësishme kulturore për Kosovën:
“Mendoj se ky është një pasuri e shtetit, sepse shteti kur ka një festival të tillë është si shtetet e tjera ashtu si duhet. Festivali është në nivel shumë të lartë profesional. I përgëzoj të gjithë ata që kanë punuar për këtë festival. Orkestra është jashtëzakonisht e përgatitur dhe mendoj se me këtë festival duhet të mburren të gjithë qytetarët e vendit”, tha ai.
Në tapetin e kuq të festivali parakaluan edhe shumë mysafirë tjerë, të cilët përgëzuan RTK-në për organizimin dhe uruan garuesit për performanca sa më të mira.