Pas një mbrëmjeje të parë plot emocione, energji dhe performanca të shkëlqyeshme, skena e madhe e Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës u rikthye sonte për natën e dytë.

Moderatorët e festivalit Rina Krasniqi dhe Dukagjin Podrimaj e hapën mbrëmjen me shumë entuziazëm, duke ndarë përshtypjet e tyre nga nata e parë dhe komentet pozitive që kanë mbërritur nga publiku.

“Sivjet cilësia e këngëve është më e mirë se kurrë”, tha Dugi, ndërsa Rina shtoi se “kjo skenë tashmë është dëshmuar si vend i denjë për artistë të kalitur”.

Në natën e dytë publiku në sallë dhe teleshikuesit do të kenë rastin t’i dëgjojë edhe njëherë të gjitha këngët konkurruese, të interpretuara nën shoqërimin e orkestrës.

Arjeta Palushaj hapi mbrëmjen me këngën “Andrra”, një kompozim modern e dinamik nga Eriona Rushiti, që ndërthur elemente të Drum’n’Bass-it me ndjeshmërinë e tekstit poetik. Me interpretimin e saj të sigurt dhe zërin karakteristik, Arjeta krijoi menjëherë atmosferë dhe energji pozitive në sallë.

Pas saj, skenën e mori Florent Abrashi me këngën “Unë dhe ti”, një rock baladë që riktheu nostalgjinë e viteve ’90. E kushtuar bashkëshortes së tij, kënga mbërtheu publikun me emocione të sinqerta, ndërsa interpretimi i fuqishëm i Florentit dhe drejtimi i orkestrës nga Alfred Kaçinari sollën një moment të ngrohtë dhe plot shpirt.

E treta në radhë ishte Vjosa Shehu, me këngën “Alo”, një krijim i Valon Gashit që trajton temën e fuqizimit të gruas përmes një mesazhi të fortë e bashkëkohor. Me prezencën e saj skenike dhe vokalin e veçantë, Vjosa e përcolli me shumë stil dhe emocion këtë këngë me frymë feministe, duke marrë duartrokitje të ngrohta nga publiku.

E mysafiri i parë special i mbrëmjes së sotme ishte Elton Deda, një prej emrave më të njohur të muzikës shqiptare, i cili u ngjit në skenë duke e madhështuar atë me performancën e tij.