Një tjetër momentet tejet i veçantë dhe emocionues i natës së dytë të Festivalit të Këngës në RTK ishte performanca e veçantë që solli duetin mes dy këngëtareve të jashtëzakonshme, nga dy gjenerata të ndryshme, Liljana Çavolli dhe Adelina Thaqi.

“Ky është një duet mes dy grash, mes dy gjeneratash. Njëra këndon nga skena e Festivalit të Këngës, ndërsa tjetra na këndon nga qielli”, tha moderatorja Rina Krasniqi duke e paralajmëruar këtë performancë.

E performanca solli në skenë Adelina Thaqin, një nga zërat më të fuqishëm të skenës së sotme, dhe nga ekrani divën e papërsëritshme Liljana Çavolli, e cila fatkeqësisht nuk jeton më.

Përmes teknologjisë moderne dhe punës së drejtorit artistik Florent Boshnjaku, ky duet i jashtëzakonshëm u bë i mundur, duke rikthyer zërin e Liljanës në një formë virtuale, por të fuqishme, që bashkë me Adelina Thaqi krijuan një përvojë unike për publikun.

Kënga e parë ishte një dedikim për dashurinë dhe kujtimet e rinisë në Prizren, me refrenin emocionues: “Flora, Flora, dashuri… Flora Floriana ime, oh sa fort të du”.

Kënga e dytë ishte një mesazh për lumturinë, shpirtin dhe kujtimet e dashura: “Rrugë të mbarë dhe lamtumirë… zemra ty le ta dijë se të dashuroj”.

Derisa kënga e tretë ishte një thirrje për të ndarë gëzimin dhe frymëzimin: “Hidheni, dridheni, shtatin le të shpërthejë… hareja!”

Ky duet u prit me duartrokitje të gjata dhe emocione të forta nga publiku.