
Në prag të natës finale të edicionit të tretë të Festivalit të Këngës në RTK, doktorantja e muzikës, Kristina Palokaj Perkola, në një analizë të saj vlerëson lartë organizimin dhe nivelin artistik të këtij edicioni, duke e cilësuar atë si më të mirin deri më tani.
Sipas Palokaj Perkolës, pas dy mbrëmjeve të para “Festivali i Këngës në RTK po shënon një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të një tradite të re muzikore në kuadër të transmetuesit publik të Kosovës”.
Në reflektimin e saj ajo thekson se ky edicion dëshmon një përkushtim serioz dhe të thelluar artistik qoftë në aspektin organizativ, teknik apo estetik, duke nënvizuar se nga skenografia, produksioni, ndriçimi, muzika, orkestra e deri te drejtimi i përgjithshëm artistik; çdo komponent reflekton një nivel profesional që meriton vlerësim.
“Nga këndvështrimi im si muzikologe, ky është, deri më tani, edicioni më i arrirë i këtij festivali, duke dëshmuar tashmë krijimin e një tradite trevjeçare me potencial për t’u zhvilluar më tej. E megjithatë, kur flasim për ‘traditë’, duhet theksuar se ky festival nuk duhet të shihet si një praktikë e re e lindur pa rrënjë. Tradita e festivaleve të këngës në Kosovë ka një histori të gjatë e të pasur, që nga periudha e festivalit ‘Akordet e Kosovës’, i cili zhvillohej në po të njëjtën shtëpi mediatike, atëherë Radiotelevizioni i Prishtinës. Ishin rrethanat historike ato që krijuan një boshllëk të gjatë kohor, një hapësirë ndërmjetëse midis asaj trashëgimie të pasur dhe përpjekjeve të sotme për të ringjallur një frymë të ngjashme. Në këtë kuptim, Festivali i Këngës në RTK mund të shihet si një ‘fëmijë i vogël’ i Akordeve të Kosovës – një formë e re që duhet të mbajë brenda vetes kujtesën e një tradite të madhe dhe të qëndrueshme”, ka theksuar Palokaj Perkola.
Në reflektimin e saj, muzikologia ngre edhe disa vërejtje profesionale, duke theksuar nevojën që ky festival të shihet dhe të trajtohet si vazhdimësi natyrale e “Akordeve të Kosovës”, pasi të dy festivalet sipas saj “ndajnë të njëjtën frymë: ombrellën mediatike dhe synimin artistik, ndonëse zhvillohen në kontekste të ndryshme kohore”.
Ajo gjithashtu ndalet në përdorimin e shpeshtë të termit “festival i jashtëzakonshëm”, teksa thekson: “Në terminologjinë estetike, ‘e jashtëzakonshme’ nuk nënkupton vetëm ‘të bukurën’, por atë që e tejkalon kufirin e së bukurës, që ngjitet në sferën e madhështores dhe të sublimes. Nga ky këndvështrim, ky edicion (as dy të parët) nuk mund të quhen ‘të jashtëzakonshëm’. Përkundrazi, ky edicion ishte jo i jashtëzakonshëm në kuptimin fillestar të fjalës, por ‘ishte jo i zakonshëm’ në raport me dy edicionet e para”.
Ajo argumenton se arsyeja pse ky edicion është “jo i zakonshëm” qëndron te rikthimi i kujtesës kulturore: “Sivjet, më në fund u rikthye kujtesa kolektive: u përmendën Akordet e Kosovës, disa nga këngëtarët dhe krijuesit e atyre dekadave. Pra, kjo është arsyeja pse ky edicion ishte jo i zakonshëm!”.
Në përmbyllje të reflektimit, Palokaj Perkola thekson se Festivali i Këngës në RTK po dëshmon se një transmetues publik mund të jetë jo vetëm platformë për shpërndarjen e muzikës, por edhe hapësirë për kujtesë, dialog estetik dhe vazhdimësi kulturore.
Ajo përmbyll analizën e saj me një mendim që ka frymë filozofike: “Siç do të mund të thuhej në frymën e filozofit Walter Benjamin, çdo akt i ringjalljes kulturore është një formë e kujtesës që refuzon harresën, dhe ky festival, në thelb, është pikërisht kjo: një kujtesë që këndon”, ka përfunduar Palokaj Perkola.