
Pas një sërë interpretimesh emocionuese nga finalistët e këtij edicioni, Festivali i Këngës mori një tjetër dimension me ngjitjen në skenë të mysafires speciale, Elvana Gjata.
Me një kolazh të përzgjedhur këngësh, artistja e mirënjohur solli në sallën e festivalit një atmosferë elektrizuese dhe plot elegancë skenike. Zëri i saj i fuqishëm, interpretimi me ndjenjë dhe energjia që transmetonte në çdo moment e mbajtën publikun të magjepsur gjatë gjithë performancës.
Në skenë u ndërthurën me mjeshtëri hitet e saj më të dashura “Gjërat kanë ndryshuar”, “Më fal”, “Shenjë” dhe “Xheloz”, të cilat u shoqëruan me duartrokitje të gjata dhe ovacione nga publiku. Performanca e saj u shndërrua në një nga kulmet emocionale të mbrëmjes, duke dëshmuar edhe njëherë se Elvana Gjata mbetet një prej artisteve më karizmatike dhe më të kompletuara të skenës shqiptare.
Pas përfundimit të performancës, këngëtarja u shpreh e emocionuar dhe mirënjohëse për ftesën: “Jam shumë e nderuar që jam këtu dhe të falënderoj nga zemra Florent Boshnjaku maestro për këtë ftesë që më ke bërë. Ju e dini që tashmë prej vitesh Kosova është shtëpia ime dhe gjysma e zemrës sime. Dhe jam vërtet shumë e lumtur, për më tepër që maestro Kaçinari jeni këtu, dhe kjo më bën të mendoj edhe njëherë që ne jemi një. Një duartrokitje shumë të madhe për orkestrën, keni bërë një punë të jashtëzakonshme. I gjithë festivali është një punë e mrekullueshme dhe ua them me gjithë zemër se jam e nderuar që jam këtu sot. Por nuk mund të harroj pa i uruar shumë suksese konkurruesve. Edhe nëse nuk fitoni, nuk është fundi i botës, me rëndësi është që të vazhdoni të punoni fort dhe ta shijoni me gjithë zemër atë që bëni. Rroftë muzika”, tha Elvana Gjata.