
Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka uruar fituesen e edicionit të tretë të Festivalit të Këngës në RTK, Arsi Bako, e cila u shpall triumfuese në natën finale të spektaklit muzikor më të madh në vend, derisa përgëzoi stafin e festivalit dhe të RTK-së për organizimin e shkëlqyeshëm.
“Fituesja e Festivalit të Këngës në RTK, Arsi Bako! Shumë urime Arsit për çmimin! Për tre net radhazi, publiku në sallë dhe në shtëpi, ka shijuar e përjetuar një organizim dhe produksion të jashtëzakonshëm nga Radio Televizioni i Kosovës”, ka shkruar Çeku në Facebook.
Ai ka vlerësuar lart punën profesionale të Radiotelevizionit të Kosovës dhe rikthimin e traditës së Akordeve të Kosovës, duke e quajtur këtë festival një pjesë të rëndësishme të historisë dhe trashëgimisë kulturore të vendit.
“Jemi krenarë që vazhdimësia e Akordeve të Kosovës, kjo histori dhe traditë e vendit tonë, sot është realitet. Faleminderit RTK-së për bashkëpunimin në rikthimin e festivalit dhe për punën shumë profesionale në organizimin e këtij edicioni”, ka theksuar ai.
Në fund, ministri Çeku ka përgëzuar të gjithë muzikantët dhe performuesit që morën pjesë në këtë edicion të festivalit për përfaqësimin dinjitoz dhe përkushtimin e tyre artistik.