
Drejtori i Televizionit në RTK, njëherësh drejtor i edicionit të tretë të Festivalit të Këngës në RTK, Rilind Gërvalla, ka vlerësuar se ndarja e Çmimit të Karrierës “Okarina e Artë” për njërën nga figurat më të ndritura të muzikës shqiptare, Reshat Randobrava, është dëshmi se RTK dhe Festivali i Këngës jo vetëm që nderojnë një artist të madh, por edhe trashëgiminë e artë të muzikës së lehtë, të cilën ai e ndërtoi me pasion, profesionalizëm dhe shpirt të pastër krijues.
“Në edicionin e tretë të Festivalit të Këngës në RTK, u nda Çmimi i Karrierës “OKARINA E ARTË” për një nga figurat më të ndritura të muzikës shqiptare, Reshat Randobravën, kompozitorin që i dha dritë dhe shpirt këngës së lehtë kosovare për disa dekada me radhë. Randobrava është artist i rrallë, që arriti të ndërthurte në mënyrë mjeshtërore elementet e muzikës folklorike shqiptare me frymën moderne të chanson-it francez, duke krijuar një stil të veçantë e të dallueshëm në krijimtarinë e tij e cila u promovua në “AKORDET E KOSOVËS”. Ai qe ndër të parët që poezitë e autorëve të mëdhenj si Dritëro Agolli, Asdreni, Rifat Kukaj, etj, i shndërroi në këngë duke i veshur me ndjeshmëri melodike e harmonike”, shkroi Gërvalla në ‘Facebook’.
Sipas tij, nëpërmjet melodive të tij kanë shkëlqyer zëra të mëdhenj të muzikës sonë, si Sabri Fejzullahu, Edmond Islami, Bedri Islami e shumë të tjerë. Këngët e tij u bënë hite që i rezistuan kohës, si: “Buzë liqenit” (1976), “Ti me sytë e zi” (1977), “Drithma dashurie” (1978) – fituese e çmimit të Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës, “Te penxherja jote” (1982), “Sorkadhja qafëgjatë” (1997)
“Randobrava ishte po ashtu i përkushtuar ndaj muzikës për fëmijë, duke kompozuar këngë që mbetën të dashura për brezat më të rinj, si “Kënga e Ditës” (1975). Me këtë çmim, RTK dhe Festivali i Këngës jo vetëm që nderojnë një artist të madh, por edhe trashëgiminë e artë të muzikës së lehtë, të cilën Reshat Randobrava e ndërtoi me pasion, profesionalizëm dhe shpirt të pastër krijues. Çmimi i Karrierës për Reshat Randobravën është një kujtesë se muzika e mirë nuk vdes kurrë, ajo vazhdon të frymëzojë, të gëzojë e të bashkojë breza”, tha ai.