Menaxhmenti i Radiotelevizionit të Kosovës, së bashku me atë të sallës ‘1 Tetori’, po bëjnë planifikimet për mënyrën se si do të duket kjo sallë në tri netët e fundit të muajit tetor, kur do të mbahet festivali ’Akordet e Kosovës 2026’, i organizuar nga Radiotelevizioni i Kosovës.

Kjo është një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore, që synon promovimin e krijimtarisë dhe vlerave më të mira të muzikës shqiptare.

Festivali do të zhvillohet në tri mbrëmje, përkatësisht Mbrëmjet e Muzikës Moderne dhe Mbrëmjen e Muzikës për Fëmijë, duke sjellë në skenë artistë të afirmuar, talente të reja dhe krijues nga të gjitha trevat shqiptare.

“Salla ‘1 Tetori’ e ka simboliken e vet, përveç emrit ka edhe histori mbrapa. Ne kemi dëshiruar si RTK që Akordet e Kosovës këtë vit të mbahen në një sallë aty ku është rinia. Ky edicion i kushtohet në tërësi historikut muzikorë, është rikthimi i akordeve, është rikthimi i një historie muzikore dhe të trashëgimisë kulturore që e kemi si Kosovë, prandaj edhe jemi shumë të lumtur që po arrihet kjo marrëveshje”, tha Rilind Gërvalla, drejtor i festivalit.

Organizatorët thonë se zgjedhja e sallës ‘1 Tetori’ do t’i japë festivalit një dimension simbolik, duke e lidhur këtë edicion me historinë muzikore dhe trashëgiminë kulturore të Kosovës.

“Salla ‘1 Tetori’ i plotëson të gjitha kushtet, është prej sallave më të mira në Kosovë. Është me të gjitha kapacitetet të cilat dhe u kemi ofruar juve, me parkingje me zyre me të gjitha dhe mezi presim me e pa edhe ne”, tha Ekrem Rudari, drejtor i Qendrës së Studenteve.

Sipas organizatorëve, kushtet infrastrukturore të sallës ‘1 Tetori’ do të krijojnë hapësirën e nevojshme për zhvillimin e festivalit dhe për pritjen e pjesëmarrësve dhe publikut.

Me këtë edicion, ‘Akordet e Kosovës’, do të synojnë të shndërrohen në një platformë të rëndësishme për promovimin e muzikës shqipe, të krijuesve dhe interpretuesve të rinj, duke bashkuar në një festival të vetëm traditën, talentin dhe frymën bashkëkohore të muzikës shqiptare.