
Radiotelevizioni i Kosovës (RTK) dhe Qendra e Studentëve në Prishtinë do të bashkëpunojnë për organizimin e festivalit “Akordet e Kosovës 2026”, i cili këtë vit do të mbahet në sallën “1 Tetori”, në tri netët e fundit të muajit tetor.
Ekipi drejtues i festivalit “Akordet e Kosovës”, kryesuar nga Drejtori i festivalit, Rilind Gërvalla dhe drejtori i Qendrës së Studentëve, Ekrem Rudari, zhvilluan një takim, ku diskutuan për bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve dhe përgatitjet organizative për realizimin e një prej ngjarjeve më të rëndësishme muzikore në vend.
Salla “1 Tetori” është përzgjedhur jo vetëm për simbolikën dhe historinë që mbart, por edhe sepse është një nga të paktat salla në Kosovë që i plotëson kushtet infrastrukturore, teknike dhe organizative për zhvillimin e një festivali të këtij niveli. Kapaciteti i saj, hapësirat përcjellëse dhe infrastruktura logjistike krijojnë kushtet e nevojshme për organizimin e tri netëve të festivalit dhe pritjen e artistëve, pjesëmarrësve dhe publikut.
Festivali “Akordet e Kosovës 2026” do të zhvillohet me mbrëmjen e muzikës moderne dhe mbrëmjen e muzikës për fëmijë, duke bashkuar artistë të afirmuar, talente të reja dhe krijues nga të gjitha trevat shqiptare.
Me rikthimin e tij, festivali synon të afirmohet si platforma kryesore për promovimin e muzikës shqipe, duke bashkuar traditën, trashëgiminë kulturore dhe krijimtarinë bashkëkohore në një ngjarje të vetme artistike.

