
Në prag të nisjes së natës së parë të Festivalit të Këngës në RTK “Akordet e Kosovës”, ka nisur programi special “Red Carpet”, ku publiku po njihet nga afër me mysafirët, artistët dhe pjesëmarrësit e edicionit të katërt të festivalit.
Drejtoresha e Përgjithshme e Radiotelevizionit të Kosovës, Zana Spahiu gjatë parakalimit të saj në tepihun e kuq, ka bërë të ditur se transmetuesi publik ka nisur lobimin pranë Unionit Evropian të Transmetuesve (EBU), me synimin që fituesi i Festivalit të Këngës “Akordet e Kosovës” të përfaqësojë vendin tonë në Eurovision.
Spahiu ka thënë se RTK-ja tashmë ka dërguar kërkesë në EBU, e cila është shqyrtuar nga ky institucion.
“Gjasat mendoj që i kemi të mira, por mendoj që kemi edhe mjaft punë për të treguar që me të vërtetë festivali i cili organizohet, fituesi i cili është në krye të këtij festivali duhet të përfaqësohet dhe të jetë edhe pjesë e garës”, ka thënë Spahiu.
Ajo ka theksuar se lobimi dhe përpjekjet do të vazhdojnë, me shpresën që të ndryshohet statuti i EBU-së, i cili aktualisht nuk e lejon Kosovën të jetë pjesë e këtij mekanizmi.
Spahiu ka folur edhe për rëndësinë e edicionit të katërt të festivalit, duke veçuar rikthimin e emërtimit historik “Akordet e Kosovës” dhe përkushtimin e stafit të RTK-së në realizimin e këtij projekti.
Ndërkaq, Gjeraldina Cërnabregu, nënkryetare e Bordit të RTK-së, ka vlerësuar punën e bërë për organizimin e festivalit, duke shprehur shpresën që ai të shërbejë si një ndërthurje e së kaluarës me të tashmen.
“Shpresoj ky festival do të vijë si një sinergji mes të kaluarës dhe të tashmes. Është bërë punë e madhe, madhështore”, ka thënë ajo, duke falënderuar të gjithë të angazhuarit në realizimin e tij.
Në kuadër të programit “Red Carpet” është prezantuar edhe pulla e re postare kushtuar “Akordeve të Kosovës”, e realizuar në bashkëpunim ndërmjet Radiotelevizionit të Kosovës dhe Postës së Kosovës.
Hyrije Ademi, përfaqësuese e Filatelisë së Postës së Kosovës dhe dizajnuesja e pullës, ka treguar se ideja kryesore ishte që përmes dizajnit të paraqitej rilindja e festivalit pas një periudhe të gjatë ndërprerjeje.
“Duke marrë parasysh se Akordet kanë pushuar një kohë të gjatë mendimi i parë që më erdhi në mëngjes gjatë dizajnimit të pullës postare ishte: si ta paraqes rilindjen e Akordeve të Kosovës? Dhe ishte një kristal, një kristal që ishte ngjitur me fije ari pas një pushimi shumë të gjatë”, ka shpjeguar ajo për konceptin e dizajnit.
Pulla postare, e cila ka hyrë në qarkullim nga kjo e premte, përbëhet nga një pullë dhe zarfi i ditës së parë të emetimit, duke u bërë pjesë e arkivit filatelik të Kosovës.
Ajo tutje ka thënë se gjërat që pushojnë, gjërat që gjenden nën tokë dhe pastaj dalin në sipërfaqe janë si një kristal të cilit kur t’ia heqësh pluhurin, ai do të shkëlqejë edhe më shumë.
“Në këtë rast edhe pulla postare, këto elemente të pullës postare do të shkëlqejnë sikurse Akordet e Kosovës që shpresoj të mos pushojnë më”, ka shtuar ajo.
Në “Red Carpet” janë prezantuar edhe disa prej pjesëmarrëseve të Festivalit të Fëmijëve “Akordet e Kosovës”, të cilat janë shprehur të emocionuara që do të performojnë në një skenë të tillë madhështore.
E mysafirja e këtij festivali sopranoja Adelina Paloja e ka vlerësuar si një moment të veçantë rikthimin e Festivalit të Këngës “Akordet e Kosovës”, duke përgëzuar ekipin organizativ të Radiotelevizionit të Kosovës për punën në përgatitjen e edicionit të katërt.
Në një intervistë në programin special “Red Carpet”, në prag të nisjes së natës së parë të festivalit, Paloja ka thënë se organizimi është rezultat i punës së një ekipi të madh profesionistësh.
“Absolutisht një moment i veçantë, një punë kolosale nga një ekip organizativ i jashtëzakonshëm. Dua ta cek këtu absolutisht edhe drejtorin artistik, edhe drejtoreshën artistike, edhe një gamë të tërë të njerëzve profesionistë nga Radiotelevizioni i Kosovës, të cilët po bashkëpunojnë së bashku për ta ndërtuar një festival vërtetë ashtu siç edhe i ka hije vazhdimësisë së emrit ‘Akordet e Kosovës’. Andaj, ju uroj shumë suksese edhe jam jashtëzakonisht e lumtur që të jem në mesin e juaj sonte”, tha ajo.
Paloja ka përshëndetur edhe rikthimin e mbrëmjes së dedikuar fëmijëve, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për zhvillimin e skenës muzikore në Kosovë.
Sipas saj, krijimi i hapësirave për fëmijët e talentuar dhe për kompozimet cilësore për fëmijë është i rëndësishëm për të ardhmen e muzikës dhe artit në vend.
“Përherë rruga e trasuar duhet të jetë ajo e cila ndërtohet për brezat e ardhshëm, të cilët do ta mbajnë gjallë skenën muzikore dhe artin në përgjithësi në Kosovë. Andaj ky është një hap i jashtëzakonshëm i cili do t’i japë një hapësirë fëmijëve të talentuar edhe kompozicioneve të mirëfillta për fëmijë, të cilat do t’i nënshtrohen natyrisht një rigoroziteti profesionist. Nuk ka më mirë sesa fëmijët, artistët e së ardhmes, të jenë në një skenë kaq të madhe dhe të rrethuar me profesionistë, të cilët do të kujdesen për rrugëtimin e tyre artistik më tutje”, ka thënë Paloja.
Në tapetin e kuq të festivalit “Akordet e Kosovës’ ka parakaluar edhe Arsi Bako, fituesja e edicionit të kaluar të festivalit të këngës, e cila ka thënë se rikthehet në skenë me emocione dhe adrenalinë të njëjtë, por këtë herë në cilësinë e fitueses.
Ajo ka treguar se viti pas fitores ka qenë i suksesshëm për karrierën e saj muzikore, duke theksuar se arritjet e deritanishme e motivojnë të punojë edhe më shumë dhe të sjellë projekte të reja.
Bako ka paralajmëruar se sonte do ta interpretojë sërish këngën me të cilën fitoi edicionin e kaluar.
Në mesin e mysafirëve të “Red Carpet” ishte edhe drejtori i Filarmonisë së Maqedonisë së Veriut, Mustafa Imeri, i cili ka vlerësuar organizimin e festivalit dhe nivelin e tij artistik.
Ai ka thënë se pret këngë të bukura nga kompozitorët shqiptarë dhe interpretime cilësore nga këngëtarët, duke shprehur bindjen se Kosova ka potencial artistik për t’u përfaqësuar në Eurovision.
Ndërkaq, këngëtarja Albana Piperku ka ndarë kujtime nga pjesëmarrja e saj e parë në “Akordet e Kosovës”, në vitin 1984, kur ishte vetëm katërvjeçare.
Ajo kishte konkurruar së bashku me motrën e saj me këngën “Ju moj lulet”, me tekst të Zejnullah Halilit dhe muzikë të Musa Piperku, duke fituar çmimin e dytë të jurisë profesionale.
Albana Piperku ka kujtuar se festivali në atë kohë zhvillohej në tri net, të dedikuara për këngën për fëmijë, këngën popullore dhe atë argëtuese.
Ajo ka rikujtuar edhe traditën e ndarjes së çmimeve, përfshirë çmimin e publikut, çmimin e jurisë profesionale dhe çmimin kryesor “Okarina e Artë”, një punim i mjeshtrit të filigranit, Simon Shiroka.
Piperku është shprehur e lumtur për rikthimin e festivalit pas një periudhe të gjatë, duke e cilësuar këtë si një moment të veçantë edhe për artistët që kanë qenë pjesë e historisë së tij.
Edicioni i katërt i “Akordeve të Kosovës” nis sonte në orën 21:00 dhe transmetohet drejtpërdrejt në RTK.