Një moment i veçantë i natës së parë të Festivalit të Këngës në RTK “Akordet e Kosovës” ishte ndarja e Çmimit për Vepër Jetësore për kompozitoren Pranvera Badivuku, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e saj në muzikën shqiptare.

Përmes një monologu, aktorja Rebeka Qena rikujtoi rrugëtimin krijues të Badivukut dhe sfidat me të cilat janë përballur gratë në botën e muzikës, duke theksuar rëndësinë e veprës së saj ndër breza.

Badivuku ka krijuar rreth 200 këngë, ka fituar pesë “Okarina të Arta” në festivalin “Akordet e Kosovës” dhe ka dhënë kontribut edhe si mësuese, redaktore e producente e muzikës për fëmijë.

Pas pranimit të çmimit, kompozitorja u shpreh e nderuar dhe e lumtur që ishte pjesë e mbrëmjes, duke vlerësuar organizimin e RTK-së dhe orkestrën e festivalit, për të cilën tha se përbëhet kryesisht nga muzikantë të rinj e të talentuar.

“S’kam fjalë. Mrekulli që jam së pari këtu në këtë mbrëmje kaq të bukur të organizuar nga Radiotelevizioni i Kosovës. Kjo më bën të lumtur shumë, posaçërisht kur shoh anëtarët e orkestrit, shumica anëtarë të rinj, të talentuar, të zgjedhur për këtë manifestim kulturor. Jam shumë e gëzuar që në edicionin e katërt festivali e merr emrin e Akordeve të Kosovës. Me këtë do të përtërihen kujtimet për Akordet e dikurshme që janë organizuar atëherë nga Radiotelevizioni i Prishtinës dhe kanë dhanë një kontribut të rëndësishëm kulturor. Ka qenë një ngjarje posaçërisht e veçantë ato vite dhe ka dhanë një kontribut të dalluar në kultivimin e këngës të të gjitha zhanreve, posaçërisht për fëmijë, atë popullore dhe atë të lehtë. Uroj që rikthimi i emrit të Akordeve të ketë jetëgjatësi dhe të shkëlqejë ndër vite”, tha Badivuku.