
Mysafirja speciale e natës së parë të Festivalit të Këngës “Akordet e Kosovës” ishte këngëtarja shqiptare Jonida Maliqi, e cila është rikthyer në skenën e Prishtinës pas 15 vjetësh.
E prezantuar nga moderatori Agron Krasniqi, Maliqi është pritur me duartrokitje nga publiku, ndërsa ka shprehur kënaqësinë që është bërë pjesë e edicionit të katërt të “Akordeve të Kosovës”.
Këngëtarja, e cila e ka përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision dhe ka qenë trajnere në “The Voice of Albania”, ka vlerësuar organizimin e festivalit dhe rrugëtimin e tij drejt zhvillimit të një ngjarjeje të rëndësishme muzikore.
Duke kujtuar përvojën e saj në Eurovision, Maliqi ka veçuar mbështetjen e publikut, mediave dhe ekipit organizativ, duke thënë se gjithçka ishte realizuar në mënyrë që ajo të ndihej plotësisht artiste.
Ajo ka vlerësuar edhe festivalin “Akordet e Kosovës”, duke theksuar se organizatorët janë në rrugë të mirë dhe ka shprehur dëshirën që Kosova të përfaqësohet denjësisht në Eurovision në të ardhmen.
“Mezi po pres dhe unë që ta përfaqësoheni atje, me super vokalet që ka Kosova”, ka thënë Maliqi.
Gjatë paraqitjes në skenë, këngëtarja ka interpretuar edhe këngën “Thesar pa emër”, një prej krijimeve më personale të saj, të cilën ia ka kushtuar djalit të saj.
“Është një ndër këngët më personale që kam kënduar. Ka qenë dedikim për tim bir dhe sa herë e dëgjoj, në fakt emocionohem dhe qaj”, ka thënë ajo.