Në një atmosferë festive dhe me një skenografi madhështore, në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë është zhvilluar nata e parë e edicionit të katërt të Festivalit të Këngës “Akordet e Kosovës”. Kjo ngjarje e madhe muzikore, e cila u transmetuar drejtpërdrejt në Radiotelevizionin e Kosovës, por edhe Radiotelevizionin Shqiptar dhe në Radiotelevizionin e Maqedonisë së Veriut në kanalin e gjuhës shqipe, solli përballë publikut një ndërthurje të shkëlqyer zhanresh, nga rock-u alternativ, etno-pop-i e xhazi, e deri te baladat prekëse.

Mbrëmja u drejtua nga moderatori i RTK-së, Agron Krasniqi, dhe aktorja Flaka Latifi, të cilët udhëhoqën rrjedhën e programit me elegancë dhe dinamizëm. Sipari i edicionit të ri u hap me një kolazh festiv këngësh të interpretuar nga Teuta Kurti dhe Florent Abrashi.

Nata e parë solli në skenë 17 solistë konkurrues, të shoqëruar drejtpërdrejt nga orkestra dhe bendi i festivalit.

Besmir Shishko hapi garën zyrtare me këngën “Përjetësisht”. Shpend Lleshi (Pena), veteran i UÇK-së nga Gjakova, solli një tjetër dimension të tijin me këngën “Vala”. Verona Kastrati interpretoi këngën “Flakë”, të kompozuar nga Valon Gashi.

Sajana Kodheli nga Shqipëria solli këngën “E lirë”. Troja Bicurri u paraqit me kitarë me këngën e saj autoriale “Mali dhe hëna”. Grupi “Hawolf”, i përbërë nga katër vëllezërit Havolli, ngriti energjinë në sallë me stilin e tyre rock alternativ/heavy metal në këngën “Ti s’je unë”. Sidorela Kelmendi Gashi, e cila më parë përfaqësoi Shqipërinë në Eurovision me familjen Kelmendi, u rikthye këtë herë si konkurrente me baladën “Vetëm kam mbetur”. Rinea Vitia interpretoi këngën “Histori”, të kompozuar nga Djell Gashi.

Arbër Krasniqi solli rock baladën “Vjeshtë”, një krijim tërësisht autorial. Rei Bezhani dhe Martina Serreqi sollën duetin nostalgjik “2011”, me muzikë dhe tekst nga Enis Mullaj. Algert Sala dhe Jet interpretuan këngën bashkëkohore “Gatitu”. Urim Salihu solli krijimin e kompozitorit Ilir Berani, të titulluar “I njëjti”. Olimpia interpretoi këngën “Amanet” në bashkautorësi me Gjergj Kaçinarin, duke përcjellë në fund nga skena edhe një thirrje fuqizuese: “Drejtësi për Arlinda Zekajn! Stop femicidit!”. Xhensi (Dea Basha), me prejardhje nga Dublini i Irlandës, solli baladën “Sërish”. Herva Ndokaj u paraqit me këngën “Voilà”, ndërsa garën e mbylli këngëtarja nga diaspora, Fatbardha Nikçi, me këngën ritmike “Hajde mor i bukur”.

Çmimi për Vepër Jetësore i takoi Pranvera Badivukut

Mbrëmja u pasurua me mysafirë me peshë të skenës mbarëshqiptare. Këngëtarja Jonida Maliqi u rikthye në Prishtinë pas 15 vitesh, duke dhuruar një performancë të improvizuar emocionuese të këngës “Thesar pa emër” dhe duke vlerësuar lart rrugëtimin e Kosovës, me shpresë për përfaqësim sa më të shpejtë në Eurovision.

Po ashtu, fituesja e edicionit të kaluar, Arsi Bako, rindezhi skenën me interpretimin e këngës së saj fituese “Rreze zjarri”. Ndërkaq, bateristi i njohur Nesim Maxhuni me bendin e festivalit dhuruan një demonstrim mbresëlënës të stileve muzikore – nga samba, funk-u e metal-i, e deri te xhazi.

Kulmi i emocioneve u arrit kur kompozitorja e madhe Pranvera Badivuku u nderua me Çmimin për Vepër Jetësore nga Radiotelevizioni i Kosovës, për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në krijimtarinë muzikore shqiptare dhe fitoren e pesë “Okarinave të Arta” në historikun e festivalit.

Përpara dorëzimit të çmimit, aktorja dhe anëtarja e jurisë Rebeka Qena solli një monolog prekës dedikuar rrugëtimit të gruas në art.

Qena e vendosi theksin te guximi i Badivukut për të krijuar më shumë se 60 vjet më parë — në një kohë kur hapësira për gratë ishte mjaft e kufizuar. Ajo vuri në pah se shumë prej këngëve që sot i këndojmë me ëndje janë pjesë e mendjes së një gruaje që krijoi mbi 200 vepra, fituese e pesë “Okarinave të Arta”.

“Nuk shuhet një gur që buron nga brenda,” u shpreh Qena, duke nënvizuar se me këmbënguljen e saj, Badivuku u hapi rrugën brezave të tërë të artisteve të reja.

Pas pranimit të çmimit, kompozitorja u shpreh e nderuar dhe e lumtur që ishte pjesë e mbrëmjes, duke vlerësuar organizimin e RTK-së dhe orkestrën e festivalit, për të cilën tha se përbëhet kryesisht nga muzikantë të rinj e të talentuar.

“S’kam fjalë. Mrekulli që jam së pari këtu në këtë mbrëmje kaq të bukur të organizuar nga Radiotelevizioni i Kosovës. Jam shumë e gëzuar që në edicionin e katërt festivali e merr emrin e Akordeve të Kosovës. Me këtë do të përtërihen kujtimet për Akordet e dikurshme që janë organizuar atëherë nga Radiotelevizioni i Prishtinës dhe kanë dhanë një kontribut të rëndësishëm kulturor. Uroj që rikthimi i emrit të Akordeve të ketë jetëgjatësi dhe të shkëlqejë ndër vite”, tha Badivuku.

“Heal the World” i Michael Jackson si mesazh për paqe në përmbyllje të natës së parë

Në përmbyllje të natës së parë, të gjithë artistët konkurrues u bashkuan në skenë për të interpretuar së bashku këngën simbol të Michael Jackson, “Heal the World”, duke përcjellë një apel për paqe, mirësi dhe solidaritet në një botë të trazuar nga konfliktet.

Prezantuesja e festivalit, Flaka Latifi tha se artistët, përmes artit dhe mesazheve që përcjellin, mund të kontribuojnë në ndërtimin e një bote më të mirë, në një kohë të shënuar nga luftërat dhe tensionet në botë.

Ndërkaq, prezantuesi Agron Krasniqi theksoi se paqja fillon në familje dhe se shoqëria ka përgjegjësi të edukojë brezat që respektojnë dinjitetin, lirinë dhe të drejtën e secilit për të jetuar pa frikë.

Festivali i Këngës “Akordet e Kosovës” vazhdon garën me natën e dytë konkurruese, ku juria e festivalit do të shpallë edhe fituesin e këtij edicioni.

Pesë anëtarët e jurisë profesionale që do të vlerësojnë këngët garuese janë: Besim Gashi (Babuka) – Baterist legjendar i skenës kosovare, Adelina Paloja – Soprano dhe soliste e Filarmonisë e Operës së Kosovës, Astrit Pallaska – Dirigjent, muzikant dhe edukator, Rebeka Qena – Aktore dhe artiste shumëdimensionale dhe Bojken Lako – Këngëtar, autor dhe pionier i rock-ut alternativ, në rolin e kryetarit të jurisë.

Ndërkohë, nata e tretë do të jetë e dedikuar për festivalin e fëmijëve, që vjen me edicionin e parë.