Këngëtari dhe producenti i njohur shqiptar, Bojken Lako, i cili njëherësh është edhe kryetar i jurisë në Festivalin e Këngës në RTK, “Akordet e Kosovës”, ka nderuar natën finale me interpretimin e dy këngëve të tij të njohura, teksa ndau përshtypjet për festivalin, publikun kosovar dhe raportet mes shqiptarëve.

Lako shprehu kënaqësinë që ndodhet në Kosovë, duke kujtuar ngrohtësinë dhe përkrahjen që ka marrë ndër vite nga publiku kosovar.

“Unë kam marrë gjithmonë kënaqësi nga publiku i Kosovës. Madje, në vitet 2000, kam ndier një ngrohtësi shumë të madhe kur kam ardhur këtu për të prezantuar. Publiku i Kosovës ka qenë gjithmonë një pjesë e frymëzimit tim”, tha Lako.

Në bisedën me prezantuesit e festivalit Agron Krasniqi dhe Flaka Latifi, këngëtari u pyet edhe për një mesazh nga Tirana për Prishtinën, në një kohë kur, pavarësisht afërsisë, shoqëritë shqiptare vazhdojnë të kenë nevojë për më shumë njohje dhe bashkëpunim.

Lako tha se ritmi i jetës dhe zhurma e viteve të fundit kanë ndikuar që ndonjëherë të ndihet një distancë mes shqiptarëve, ndonëse gjeografikisht janë shumë afër.

“Mesazhi është që të bëjmë shumë për njëri-tjetrin. Më shumë ne për njëri-tjetrin atje në Shqipëri, jo aq shumë për njëri-tjetrin atje në Shqipëri sa duhet të bëjmë ne për juve dhe ju për ne, por edhe në Maqedoni e kudo që janë shqiptarët”, u shpreh ai.

Duke folur për festivalin, Lako, i cili ka përvojë edhe në produksionet televizive, e vlerësoi lart nivelin artistik dhe produksionin e “Akordeve të Kosovës”.

“Ky është një maksimum i produksionit televiziv. Për katër vite me arritur këtë nivel është diçka shumë e madhe. Kjo tregon se nuk është për katër vite, por niveli është i trashëguar, gjithë puna e të gjithë atyre pionierëve të muzikës në Kosovë, të shkëndijave moderne shumë përpara edhe se Shqipëria”, tha Lako.

Ai vlerësoi gjithashtu punën e njerëzve që kontribuojnë në media dhe në promovimin e muzikës në Kosovë, duke theksuar se kjo përvojë duhet të shërbejë si shembull.

Bojken Lako më pas interpretoi këngët “Shtëpia e sëmurë” dhe “Nuk ka asgjë të largët” në skenën gjigante të “Akordeve të Kosovës”, duke sjellë një moment të veçantë muzikor për publikun e natës finale.