
Këngëtarja nga Shqipëria, Arsi Bako, është rikthyer në skenën e festivalit, një vit pasi triumfoi në edicionin e kaluar.
E prezantuar nga drejtuesit e mbrëmjes si një këngëtare me vokal të fuqishëm dhe prezencë të veçantë skenike, Bako u prit me duartrokitje nga publiku në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.
Në një bisedë me prezantuesit Agron Krasniqi dhe Flaka Latifi, ajo tha se ndihet e lumtur që rikthehet në festival si fituese, ndërsa vlerësoi përkrahjen që ka marrë nga publiku në Kosovë.
“Jam shumë e lumtur dhe e përmbushur. Realisht është një lloj ndjesie e veçantë sepse jam mësuar me atë ndjesinë e fitueses nga edicioni i kaluar. Jam shumë e lumtur. Ndihem shumë e përkrahur këtu në Kosovë, ndoshta më shumë se në Shqipëri”, tha Bako, duke falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur dhe e ndjekin.
Arsi Bako u ngjit sërish në skenë për të interpretuar këngën fituese “Rreze zjarri”.