Këngëtari pejan Besnik Qaka ishte mysafiri i radhës i natës finale të Festivalit të Këngës në RTK, “Akordet e Kosovës”, ku u prezantua me dy këngë nga repertori i tij.

Para performancës së tij, prezantuesja Flaka Latifi foli për historinë e muzikës alternative në Kosovë, duke kujtuar grupet që nga fundi i viteve ’70 kontribuuan në zhvillimin e kësaj skene, si “Lindja”, “Gjurmët”, “AVI Bankrot”, “Por-No”, “Retrovizorja” dhe “Cute Babulja”.

Ajo përmendi edhe skenën e muzikës heavy metal, si dhe grupet që vazhdojnë ta ruajnë dhe ta përcjellin këtë traditë muzikore, ndër to edhe “Hawolf”, që interpretoi në festival.

Duke folur për traditën muzikore të Pejës, Latifi veçoi ndikimin e muzikës funk, soul dhe jazz, duke kujtuar grupin “Selekcioni 039”, nga i cili në festival janë të pranishëm dy anëtarë themelues: Ilir Bajri dhe Babuka, ky i fundit edhe anëtar i jurisë.

Besnik Qakën ajo e prezantoi si një pasardhës të kësaj tradite muzikore, ish-nxënës të Babukës, i cili fillimisht kishte nisur si baterist, për t’u shndërruar më vonë në një nga vokalistët më të njohur të Kosovës.

I pyetur për fillimet e Qakës, Babuka kujtoi talentin e tij të hershëm, si në bateri, ashtu edhe në këndim.

“Besniku ka qenë edhe si talent në drum set, një ndër talentet më të mëdha, mirëpo edhe si vokalist. Një ndër vokalistët më të mirë të tanishëm në Kosovë, edhe besoj në krejt shqiptarinë. Ka qenë një djalë tepër i talentuar, shumë i ri, edhe në start ka qenë një potencial për me u bërë një yll çfarë është sot”, tha Babuka.

Ndërkaq, Besnik Qaka falënderoi publikun për mbështetjen, teksa më pas interpretoi në skenën e “Akordeve” këngët “Ashtu sikur dje” dhe “Mos u ndal”, duke i shtuar ngjyrat spektaklit të natës finale.