Festivali i Këngës në RTK “Akordet e Kosovës”, rikthehet sonte me edicionin e katërt, duke sjellë për herë të parë edhe Festivalin e Fëmijëve, në një ngjarje që do të shtrihet përgjatë tri netëve radhazi.

Drejtori artistik i festivalit, Florent Boshnjaku, në një intervistë të shkurtër me gazetaren Medina Pasoma në Lajmet Qendrore, ka thënë se rikthimi i emrit historik “Akordet e Kosovës” i jep këtij edicioni një rëndësi të veçantë artistike dhe kulturore.

“Ne e meritojmë edhe një festë muzikore, e meritojmë që ta vlerësojmë historinë dhe sivjet e kemi rikthyer edhe emrin e ‘Akordeve të Kosovës’. Kështu që festivali ‘Akordet e Kosovës’ rifillon sonte si histori dhe shpresoj që publiku do t’i shijojë këto tri net”, ka thënë Boshnjaku.

Në këtë edicion dy netët e para do t’i kushtohen garës së këngëtarëve të rritur, kurse nata e tretë do të jetë e dedikuar për më të vegjlit.

Boshnjaku ka bërë të ditur se në natën e parë mysafire speciale do të jetë këngëtarja nga Shqipëria, Jonida Maliqi, e cila e ka përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision.

“Kemi përgatitur diçka të bukur. I gjithë programi artistik, komplet festivali është jashtëzakonisht i bukur. Ka zëra të mrekullueshëm, ka këngë të bukura dhe besoj që përgatitjet në aspektin artistik, po edhe teknik, janë bërë me shumë përkushtim”, ka thënë ai.

Një tjetër veçanti e këtij edicioni është bashkëpunimi ndërmjet Radiotelevizionit të Kosovës dhe Postës së Kosovës, me rastin e emetimit të një pulle të re postare, kushtuar festivalit “Akordet e Kosovës”.

Pulla postare do të lëshohet në qarkullim sonte, si nderim për historinë dhe rëndësinë kulturore të kësaj ngjarjeje.