Boshnjaku: Festivali i fokusuar 100% në muzikë, platformë profesionale

Sh.G|RTKlive

Drejtori artistik i Festivalit të Këngës në RTK, Florent Boshnjaku, dy javë para nisjes së edicionit të tretë, ka thënë se kjo ngjarje ka arritur të jetë më e madhja në rrafshin kultoror dhe platforma ideale për promovimin e artistëve. Ai ka potencuar se sivjet gjithë fokusi është te përmbajtja muzikore.

 

“Ideja është që Festivali sivjet të jetë 100% i fokusuar në muzikë. Jemi munduar që edhe pikat e të ftuarve special të jenë pika muzikore, që të mos humb dinamikën e festivalit. Kemi artistë me të vërtetë shumë të mirë që publiku i do, të ndarë në tri netë. Një gjë që kam dëshirë me e thënë është se i kemi tre dirigjentë të cilët janë të jashtëzakonshëm. Alfred Kaçinarin, Memli Kelmendin dhe Lindita Isufin. Sivjet Memli Kelmendi do të na sjellë edhe korin ‘Siparantum’ me një pikë, diçka të bukur”, ka thënë ai në “Mirëmëngjesi Kosovë”.

Boshnjaku ka thënë se formacioni orkestral sivjet përbëhet edhe nga instrumentistë të ri, duke potenduar se Festivali i Këngës ofron mundësi në shumë dimensione. Ai shtoi faktin që festivali ndjehet si festë për skenën muzikore vendore.

“Një diçka që Festivali i Këngës e ofron është skena e punuar në mënyrë të jashtëtzakonshme. Pjesa më e bukur është kur mblidhet orkestra, nuk është gjë e lehtë as e zakonshme. Vet fakti që ne ofrojmë një platformë të tillë kur ia mundësojmë dikujt të del në mënyrë aq profesionale, ajo mendoj që është mënyra më e mirë e promovimit të çdo artisti”, ka thënë ai.

Boshnjaku ka premtuar pjesëmarrjen e emrave të njohur të muzikës në programin mysafir, teksa ka përmendur disa nga ata që kanë qenë në dy edicionet paraprake.

“Kemi pasur artistë të jashtëzakonshëm. Vitin e parë e kemi pasur Dafina Zeqirin me Orkestër me një mënyrë krejtësisht tjetër. Ajo vet e ka dëshmuar para publikut se çka dhe në çfarë forme mund ta sjellë interpretimin e saj. E kemi pasur Yll Limanin, Alban Skënderaj, Aurela Gaçen e shumë artistë të tjerë. Aty mund ta shihësh se në çfarë niveli mund të shkojnë artistët”, ka thënë Boshnjaku.

“Personalisht kam qenë nëpër shumë ngjarje të mëdha jashtë vendit, kemi arritur të depërtojmë. Neve na është dashur një shkëndijë e vogël që ta shpërfaqim talentin sepse kemi mundësi për të bërë gjëra të bukura…”, ka thënë ai.

Festivali i Këngës në RTK do të mbahet më 6, 7 dhe 8 nëntor.