
Drejtori artistik i Festivalit të Këngës, Florent Boshnjaku, ka folur për laramaninë e këngëve konkurruese të edicionit të dytë. Këtë e ka quajtur edhe si ndryshim nga edicioni i parë.
“Gjithmonë një edicion i kaluar është ndryshe për shkak të këngëve. Kemi pasur zhanre e artistë të ndryshëm. Kënga fituese është totalisht ndryshe nga ajo që kemi dëgjuar vjet. Sigurisht vitin e ardhshëm do të jetë ndryshe. Kjo është e bukura e festivalit që të sjellë dhe të shtyjë rryma të ndryshme” , ka thënë Boshnjaku.
Tutje ai ka folur për arsyen që këngëtarët e rinj janë të prirur të konkurrojnë me balada.
“Baladat janë më të vështira për t’u kënduar sepse kërkohet ambitus më i lartë. Për atë arsye synojnë pjesëmarrjen me balada sepse ke prapa vetes një orkestër e ekip të madhe dhe dirigjent. Ndërkaq, me një këngë e cila është me tri – katër akorde nuk nevojitet as orkestër, ndoshta veç një kitarë apo ngjyrë sinti, kjo është arsyja pse synojnë me balada për të treguar kapacitetin e tyre”, ka thënë Boshnjaku në “Post Festival”.
Pianisti i orkestrës së sivjetme të Festivalit të Këngës, Gjergj Kaçinari, ka çmuar energjinë e orkestrës.
“Kemi rreth një muaj që kemi nisur me provat. Rrethi, energjia dhe të gjitha kanë qenë shumë familjare për mua, sepse përveç që jemi kolegë, jemi shokë me të gjithë. Fatmirësisht janë grup profesionistësh, secili më i mirë se tjetri”, ka thënë ai.
Dirigjentja Lindita Isufi e ka cilësuar Festivalin e Këngës si mundësi të mirë për promovimin e artistëve të rinj.
Inxhinieri i zërit, Labinot Rudi ka ndarë përvojën e tij rreth çështjes së zërimit të sallës dhe vështirësive të cilat i kanë hasur për shkak se hapësira nuk është me destinim muzikor dhe i mungon akustika.