Dy çmimet e para në natën finale të edicionit të katërt të festivalit “Akordet e Kosovës” kanë qenë çmimi i orkestrës dhe çmimi për tekstin më të mirë. Çmimin e orkestës e ka fituar Fatbardha Nikçi, ndërsa vendimi është marrë nga vetë anëtarët e orkestrës, të cilët kanë votuar për interpretuesen më të vlerësuar prej tyre. Pas marrjes së çmimit, Nikçi ka falënderuar orkestrën, duke thënë se nuk e kishte pritur këtë vlerësim. “Faleminderit shumë orkestrës për këtë çmim. Nuk e prita”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, çmimin për tekstin më të mirë e ka fituar kënga “Amanet”, e interpretuar nga Olimpia. Çmimin ia ka dorëzuar Fatmir Podrimaj, anëtar i Bordit të RTK-së dhe ish-prezantues i “Akordeve të Kosovës”. Olimpia ka thënë se teksti ishte një nga elementet më të dashura për të në këtë këngë, veçanërisht për shkak të mesazhit që përcjell.

“Jam shumë e lumtur për këtë vlerësim”, ka thënë ajo, duke falënderuar organizatorët dhe vlerësuesit. Gjatë ceremonisë, Podrimaj është rikthyer edhe në kujtimet e tij nga festivali, ku ka treguar historinë e kostumit që kishte veshur sonte, e të cilin e kishte veshur për herë të parë në edicionin e vitit 1983, kur për herë të tretë kishte udhëhequr “Akordet e Kosovës”.

Ai ka treguar se kostumi ishte siguruar në Milano, përmes mikut të tij Kelmend Himadunës, i cili kishte kontribuar në festival dhe në mbështetjen e artistëve kosovarë.