
Pak orë na ndajnë nga nisja e edicionit të dytë të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës.
Transmetimi televiziv do të nisë duke filluar nga ora 20:10, ku mysafirë të shumtë do të priten në tepihun e kuq në Pallatin e Rinisë. Ndërkaq nata e parë e “Fest 2” do të fillojë nga ora 21:00.
Sivjet janë 16 këngë garuese të cilat synojnë t’i marrin tri çmimet e para. Në anën tjetër, njësoj sikurse vitin e kaluar edhe sivjet nuk mungojnë suprizat në skenë.
Një nga to është edhe performanca e këngëtares dhe kantautores së njohur shqiptare, Aurela Gaçe. Ajo kishte prezantuar Shqipërinë në garën evropiane “Eurovision” në vitin 2011 me këngën “Feel the passion”.
Përveç Gaçes, “Fest 2” ka rezervuar edhe emra të tjerë eminentë të skenës vendore, të cilët do të shpalosen gjatë tri netëve të këtij festivali.
Ngjarja do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK 1, Radio Kosova dhe platformat online.