
Pas pak nis nata e parë e edicionit të dytë të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës.
Transmetimi ka filluar në ora 20:10 me pritjen e të ftuarve në tepihun e kuq të Pallatit të Rinisë, ndërsa festivali do të hapet në ora 21:00.
Në edicionin e parë, triumfoi La Fazani me këngën “Oj Kosovë”, derisa këtë vit pritshmëritë janë të larta për performancat e artistëve që do të konkurrojnë për çmimet e festivalit.
“Fest 2” do të sjellë në garë 16 këngë, të cilat synojnë të fitojnë çmimet kryesore. Ashtu si në edicionin e kaluar, edhe këtë vit janë paraparë surpriza për publikun, e ku pa dyshim ndër momentet e veçanta të kësaj mbrëmje muzikore do të jetë performanca e këngëtares së njohur shqiptare Aurela Gaçe.
Kryetarja e Bordit të RTK-së, Albulena Mehmeti gjatë parakalimit në tapetin e kuq ndau disa momente për teleshikuesit e RTK-së. Ajo tha se ndjen kënaqësi që është pjesë e këtij festivali. “Jam shumë e lumtur që kam qenë pjesë e Bordit të RTK-së në kohën kur është konkretizuar ideja për themelimin e Festivalit të Këngës. Bordi ka luajtur një rol thelbësor dhe vendimmarrës për organizimin dhe themelimin e këtij festivali, duke aprovuar rregulloren e tij dhe pastaj me sukses duke negociuar për memorandumin me MKRS-në”, ka theksuar ajo.
Mehmeti ka falënderuar ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku që ndau buxhetin për realizimin e këtij festivali, derisa lavdëroi punën e stafit në organizimin e edicionit të dytë.
“Si kryetare e Bordit kam pasur kënaqësinë që të shoh nga afër punimet e organizimit të këtij festivalit dhe jam e impresionuar me punën e stafit të RTK-së dhe bashkëpunëtorëve nën udhëheqjen e drejtorit Adi Krasta”, shtoi ajo.
Ndërkaq, fituesi i edicionit të parë të festivalit, Arbër Salihu (La Fazani) u shpreh se është ndjenjë e mirë të kthehet në këtë event, por tani si spektator.
“Është sukses i jashtëzakonshëm që kemi arritur ta bëjmë këtë festival dhe po më bëhet zemra mal që po ka vazhdimësi. Shpresoj që do të shkojë duke u bërë mirë e më mirë çdo vit. Definitivisht është ndjenjë fantastike të jesh pjesë e këtij festivali. Për mua ka qenë një gjë shumë e bukur që më ka ndodhur në karrierën time. Vitin e kaluar krejt java e festivalit është që s’do ta harroj. Përmes këtij festivali kam njoftuar shumë njerëz që më kanë shërbyer gjatë tërë vitit për bashkëpunime të ndryshme. Skena është shumë e mirë dhe të performosh në një këso skene madhështore gjithsesi që ka qenë kënaqësi e madhe”, ka theksuar Salihu.
Festivali i Këngës do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK 1, Radio Kosova dhe në platformat digjitale të transmetuesit publik, duke ofruar mundësi të gjerë për ndjekjen e këtij eventi nga të gjithë.